Çitaku për aplikimin e Kosovës në BE: I vlefshëm vetëm nëse është bërë në koordinim me aleatë.
Nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku, tha se PDK e përshëndet aspiratën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Mirëpo sipas Çitakut, aplikimi i Kosovës në BE ka vlerë vetëm nëse është bërë në koordinim me aleatë ndërkombëtarë.
“Aplikimi i sotëm i Kosovës për anëtarësim në B.E, si hap procedural, ka vlerë vetëm nëse është koordinuar paraprakisht me aleatët tanë. Përndryshe, mbetet vetëm një aplikacion më shumë në sirtarët e mekanizmave të B.E.”
“Për dallim nga VV e cila atëbotë nuk e kishte votuar MSA-në, PDK nuk është opozitë rrënuese”.
Ajo po ashtu hodhi kritika nga mënyra se si u organizua ceremonia e nënshkrimit të dokumentit për aplikim të Kosovës në BE, ku sipas saj, “nuk do të duhej reduktuar në një ceremoni foto/op.”
Krerët e shtetit, Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca kanë nënshkruar sot aplikimin e Kosovës për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Ky aplikim pritet të dorëzohet më 15 dhjetor në Republikën Çeke, vendin që aktualisht kryeson Presidencën e BE-së.
Postimi i saj i plotë:
Partia Demokratike e Kosovës e mbështetë çdo hap dhe iniciativë që e përafron Kosovën me familjen evropiane.
Aplikimi i sotëm i Kosovës për anëtarësim në B.E, si hap procedural, ka vlerë vetëm nëse është koordinuar paraprakisht me aleatët tanë. Përndryshe, mbetet vetëm një aplikacion më shumë në sirtarët e mekanizmave të B.E.
Për dallim nga VV e cila atëbotë nuk e kishte votuar MSA-në, PDK nuk është opozitë rrënuese.
Anëtarësimi i Kosovës në B.E është aspiratë kombëtare e cila duhet trajtuar me seriozitet, dhe asesi nuk do të duhej reduktuar në një ceremoni foto/op.