
Këshilltarja e Presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, i është kundërpërgjigjur sërish deklaratës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e cila tha se kjo parti është e gatshme që sot t’i ofrojë 30 nënshkrime presidentes për të garuar për një mandat të dytë.
Hollaj theksoi se Osmanit nuk i janë ofruar vota për rizgjedhje, por kërkohej që ajo të bëhej kundërkandidate e Glauk Konjufcës vetëm “për formalitet”.
“Zonja Arbërie Nagavci, besoj se përvoja juaj parlamentare dhe politike është e mjaftueshme për të trajtuar këtë çështje me seriozitetin që kërkon pesha kushtetuese dhe interesi publik. Kjo nuk është thjesht një çështje aritmetike apo proceduriale, por prek thelbin e përgjegjësisë institucionale dhe respektimin e rendit kushtetues. Qasja duhet të reflektojë maturi politike dhe ndjeshmëri ndaj interesit publik, përtej kalkulimeve të ulëta,” shkroi Hollaj.
Ajo shtoi se qëllimi i Vetëvendosjes ishte vetëm të fajësonte opozitën për shkuarjen e vendit në zgjedhje.
“Nëse dikujt i thoni ‘eja, veç sa për formalitet, bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca’, pra vetëm për numër, dhe pastaj fajësojmë opozitën, ka më turp se kaq? Presidentes nuk i është ofruar asnjë votë për rizgjedhje, por i është kërkuar të bëhet vetëm formalitet dhe numër për manipulime të tilla. Nuk trajtojmë institucionet e shtetit ashtu!”
Përplasja mes Presidencës dhe Vetëvendosjes nisi kur pak më parë Nagavci tha se VV i kishte ofruar Osmanit nënshkrimet, por ajo nuk e kishte pranuar ofertën. I menjëhershëm ishte demantimi nga Presidenca, ku Hollaj e quajti deklaratën e Nagavcit “gënjeshtër”.
Për reagimin e këshilltares Hollaj, u pyet gjatë konferencës Nagavci, por kjo e fundit nuk është përgjigjur se kur i janë ofruar nënshkrimet por tha se i garanton votat e Lëvizjes Vetëvendosje për Vjosa Osmanin.
“Unë sot i garantojë votat e Lëvizjes Vetëvendosje. Nëse flasim për nënshkrime të deputetëve. Nëse themi se nuk është e vërtetë. Sot jam e gatshme të garantojë në emër të Lëvizjes që do të ofrojë vota për të vazhduar në garë tutje”, tha Nagavci.