Nënshkruhet memorandum për qentë endacakë

23:59 | 25 Korrik 2022

Organizata Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka bërë të ditur se kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës për qentë endacakë.

Në njoftimin e lëshuar nga kjo organizatë thuhet se ata do të mbështesin komunën në monitorimin e masave të ndërmarra për të zgjidhur çështjen e qenve endacakë në mënyrë të qëndrueshme dhe humane.

“Organizata jonë do të jetë afër komunës për ta mbështetur në përgjithësi rreth menaxhimit të popullsisë së qenve në Prishtinë, bazuar në frymën e strategjisë kombëtare, që është duke u finalizuar nga niveli qendror (MAPL)”.

“E falënderojmë komunën e Prishtinës që ka zgjedhur të punojë me një qasje transparente dhe të qëndrueshme për zgjidhjen e problemit, pasi që vetëm me këtë qasje sigurohet efikasitet në reduktimin human të qenve në rrugë, dhe rrjedhimisht, edhe shpenzim efikas i parasë publike”, thuhet në njoftim.

Komento: