Nëse Conte emërohet trajner te Milani, do ta sjellë në “San Siro” dyshen e frikshme

10:35 | 24 December 2018

Pas ndeshjes me Fiorentinën u përfol një debat i ndezur mes drejtuesve dhe trajnerit të Milanit, por çdo shkëndijë u shua përpara se të shndërrohej në zjarr, sidomos falë edhe konferencës së Gatusos. Besim, por me kohë të kufizuar.

Është ky vendimi i krerëve të “Djallit”, të cilët, me sa duket, i kanë njohur trajnerit vështirësitë e shumta në takimet e fundit, mes dëmtimeve dhe kualifikimeve. Mirëkuptim, por me kusht.

Tekniku 40-vjeçar ka 6 ditë kohë për të arritur rezultate përmes paraqitjeve, përndryshe, me hyrjen e vitit të ri, mund të mos e gjejë veten ende në detyrë. Rino kërkon reagim, arsye kjo që kuqezinjtë do të vijojnë stërvitjet pa asnjë ditë pushim gjatë këtyre ditëve të festave.

Arsen Venger është pasuesi më i mundshëm, për shkak edhe të lidhjes me administratorin Ivan Gazidhis. Francezi ndihet gati për një përvojë të re dhe Milani mund të jetë vendi i duhur për shkak të projektit dhe morisë së lojtarëve të rinj në organikë.

Paulo Soza ishte një tjetër emër i “nxehtë”, por që po ftohet me kalimin e orëve. Roberto Donadoni ka ende një kontratë me Bolonjën.

“RIKTHIMI” – Cilado qoftë zgjidhja e momentit, te Milani nuk duan të nxitohen e për më tepër të pengojnë punësimin e një emri të madh në verë. Në këtë rast, kandidati është Antonio Conte, një profil që monitorohet edhe nga Interi, ku situata gjithsesi është shumë më e mirë sesa e kuqezinjve.

Ish-trajneri i Çelsit është objektivi veror, por sipas “Sportmediaset”, nëse Leonardo sjell në janar Fabregasin dhe Moratën, Konte mund të bindet të pranojë projektin kuqezi, garancitë mbi të cilin do t’i marrë nga vetë pronari i Milanit dhe fondit “Elliott”, Pol Singer. Merkato mund të ndryshojë skenarin, me Konten që për momentin nuk është aq larg sa duket.

Komento: