Nëse ndodh kjo, nuk do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme

08:33 | 23 July 2019

Kosova po përgatitet për zgjedhje të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit.

Ramush Haradinaj ka zyrtarizuar dorëheqjen nga posti i kryeministrit duke i njoftuar udhëheqësit e institucioneve, partnerët e koalicionit dhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend.

Me deponimin e aktit të dorëheqjes në Kuvend dhe Presidencë ka nisur të rrjedhin afatet ligjore për caktimin e mandatarit tjetër ose shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe pse partitë politike kanë mobilizuar shtabet zgjedhore, njohës të rrethanave nuk e përjashtojnë mundësinë e krijimit të një qeverie gjithëpërfshirëse, nëse ka presion të fortë ndërkombëtar.

“Për hir të bisedimeve me Serbinë mund të ketë presion ndërkombëtar për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, e cila do të kishte jetëgjatësi më së shumti një vit. Përveç arritjes së marrëveshjes, për të cilën po insistojnë amerikanët, partitë do të merreshin vesh edhe për finalizimin e reformës zgjedhore. Por, marrë parasysh përçarjet e brendshme, përfshirë ato brenda koalicionit, kjo është vështirë të ndodhë”, ka thënë për gazetën politologu Ramush Tahiri.

Sipas tij, kërkesa për shmangien e zgjedhjeve mund të paraqitet në konsultat që presidenti Thaçi do t’i zhvillojë me të gjitha partitë, pasi të konfirmohet dështimi i PAN-it për ta nxjerrë një kandidat tjetër.

Komento: