Kryeministri Ramush Haradinaj e ka mbajtur konferencën e fundit për këtë vit.
Pas punës intensive 15 mujore që ka kryer Qeveria e Kosovës, më në fund ka ardhur mundësia që e gjithë vëmendja të kthehet kah zhvillimi i ekonomisë në vend.
Kështu ka deklaruar sot kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, në konferencën e fundvitit me gazetarë.
Duke folur për takën 100 %, kryeministri u shpreh i vendosur se nëse Serbia nuk ndryshon qëndrim ndaj Kosovës, taksa do të mbetet në fuqi përgjithmonë.
“Masa pos që është politike është edhe në mbrojtje të sigurisë të Kosovës. Nëse Serbia nuk ndryshon, një mini Rusi në Ballkan, atëherë taksa ka me mbet përgjithmonë, përjetësisht. Nëse Serbia dëshiron njohje reciproke do e hiqnim menjëherë. Kur mundemi me u tërheqë? Sa më shpejtë që bimë dakord për njohjen reciproke”, tha Haradinaj.
Kurse për marrëveshjen finale në mes Kosovës dhe Serbisë, Haradinaj tha se delegacioni shtetëror e ka përkrahjen e Qeverisë, derisa theksoi se negocimi bëhet prej delegacionit, jo prej dy njerëzve.
“Unë kam kërkuar që edhe Presidenti të ua dërgojë delegacionit krejt çka posedon”, u shpreh ai.
I pyetur për ngjarjet në fushën e sigurisë, konkretisht për rastet e grabitjeve të cilat janë shpeshtuar në vend, Haradinaj beson se mekanizmat shtetëror të sigurisë e kanë në fokus këtë dukuri.
Haradinaj paralajmëroi se vitin që vjen, Kosovën e presin shumë sfida. Ai u shpreh se çështje me më urgjencë për të është futja e Kosovës në agjendë për liberalizimin e vizave.