Nëse nuk veprohet, paralajmërohet për valë vdekjeprurëse të të nxehtit

20:16 | 10 October 2022

Kombet e Bashkuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq u kanë bërë thirrje qeverive në gjithë botën që të përgatiten për më shumë valë ekstreme të të nxehtit, të cilat janë duke u shkaktuar nga ndryshimet klimatike.

Në një raport të përbashkët, të publikuar më 10 tetor, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihma Humanitare, dhe Kryqi i Kuq, është thënë se valët e të nxehtit janë duke lënë të vdekur mijëra njerëz çdo vit “dhe se ato do të bëhen edhe më vdekjeprurëse”.

Në raportin e titulluar “Moti ekstrem: Përgatitja për valët e të nxehtit në të ardhmen”, është thënë se 38 valë të të nxehtit janë fajtore për më shumë se 70.000 njerëz të vdekur në periudhën 2010-2019 – shifër që në realitet ka mundësi të jetë edhe më e madhe.

Në këtë raport është thënë se moti i nxehtë mund të “tejkalojë limitet psikologjike dhe humane të njeriut” në Sahel, disa rajone të Afrikës dhe Azisë, nëse nuk merren masa të menjëhershme për të zvogëluar efektin e një moti të tillë.

“Ekzistojnë limite të qarta të të nxehtit ekstrem dhe lagështisë, mbi të cilat nuk mund të mbijetojë njeriu”, është thënë mes tjerash në raport.

Në raport përmenden pesë hapa kyçë që mund të ndihmojnë në luftim të ndikimit të motit ekstrem, përfshirë ofrimin e hershëm të informacioneve që u ndihmojnë njerëzve të reagojnë, si dhe të gjejnë rrugë të reja të financimit në nivel lokal.

Në mesin e hapave që duhet marrë përmendet edhe nevoja e testimit më të shpeshtë të “qendrave emergjente të strehimit”.

Liderët botërorë tashmë kanë paralajmëruar për rritje të temperaturës së Tokës në 1.2 gradë Celsius prej nisjes së epokës industriale.

Temperaturat është thënë se do të vazhdojnë të rriten në rast se qeveritë nuk marrin masa për të ndalur emetimet e karbonit./REL

Komento: