Nesër bëhet varrimi i Bashkim Mehmetit, sot kryhet obduksioni i trupit të ndjerit

13:44 | 06 September 2019

Sot kryhet obduksioni i trupit të Bashkim Mehmetit, nesër bëhet varrimi.

Shenja të gjakut, faculeta e një karrige me një njoftim që tregon se aty ka të pame, është gjithçka që ka mbetur në vendin ku dje u përleshën me armë zjarri familja Mehmeti e Rafuna.
Aty u plagosën 4 persona, 2 prej të cilëve vdiqën pasi u hospitalizuan, shkruan Express.

Familja Mehmeti tashmë ka hapur të pame për djalin e tyre, Bashkimin, i cili ndërroi jetë si pasojë e plagëve që mori nga plumbat që dyshohet se u shkrepën nga anëtarët e familjes Rafuna.

Ai do të varroset nesër në ora 12:00, derisa trupi i tij tashmë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Detaje se si filloi e gjithë përleshja mes anëtarëve të familjes Mehmeti e Rafuna, ka dhënë sot edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, gjithçka kishte filluar me një përleshje fizike, për të përfunduar më pas me të shtëna armësh.

“Në njërën anë personat me inicialet F.R., dhe M.R., ndërsa në anën tjetër të dyshuarit me inicialet B.M., N.M., dhe M.M., kanë shtënë me armë zjarri. Ndërkaq, si pasojë e të shtënave të ndërsjella, lëndime dhe plagë të rënda në vendin e ngjarjes kanë pësuar të dyshuarit me inicialet F.R., M.R., B.M., dhe kalimtari i rastit, tani i dëmtuari G.R”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria ka bërë të ditur se të lënduarit ishin dërguar menjëherë për trajtim në QKUK, mirëpo si pasojë e lëndimeve dhe plagëve të marra, kanë ndërruar jetë personat me inicialet B.M. dhe M.R.

Ndërkohë, me urdhër të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë, personat me inicialet N.M., M.M., dhe F.R., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të KPRK-së.

“Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dhe do të urdhërohet që të bëhet obduksioni, me qëllim të përcaktimit të shkaqeve të vdekjes së tyre”, thuhet në komunikatë.

Komento: