Nesër dita e Kurtit

23:44 | 02 Shkurt 2020

Nesër dita vendimtare për “Qeverinë Kurti”.

Kuvendi i Kosovës të hënën do të mbajë seancë plenare për votimin e qeverisë së re.

Të hënën me fillim prej orës 11:00, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare në të cilën pritet të votohet “Qeveria Kurti”.

Pas arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë publikuar edhe emrat e personave që do të udhëheqin ministritë e këtyre dy subjekteve politike.

“Qeveria Kurti”, e cila në fillim ishte zotuar se do t’i ketë vetëm 12 ministri, tashmë është rritur në 15 ministri.

Sipas marrëveshjes Vetëvendosja do ta ketë kryeministrin dhe gjashtë ministri, kurse LDK-ja do ta ketë postin e kryeparlamentarit dhe gjashtë ministri të tjera, raporton lajmi.

Të propozuarit e Lëvizjes Vetëvendosje ishin bërë publikë qysh më herët në një video të publikuar nga kryetari i saj Albin Kurti, mirëpo këtij propozimi i është shtuar tashmë edhe Glauk Konjufca si ministër i Punëve të Jashtme.

Ministre e Drejtësisë është nominuar Albulena Haxhiu, për Ministrinë e Financave Besnik Bislimi, Rozeta Hajdari ministre e Ekonomisë, Arben Vitia ministër i Shëndetësisë dhe në fund Blerim Reka është propozuar si ministër i Integrimeve Evropiane.

Për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë nga Vetëvendosje është propozuar Haki Abazi.

Në anën tjetër, LDK-ja edhe zyrtarisht ka bërë të ditur se Vjosa Osmani do të jetë kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, zëvendëskryeministër i parë nga LDK-ja do të jetë Avdullah Hoti.

Zëdhënësi i LDK-së dhe deputeti i legjislaturës së shtatë, Besian Mustafa pritet të jetë ministër i Bujqësisë, Anton Quni ministër i Mbrojtjes dhe Lumir Abdixhiku pritet të jetë ministër i Infrastrukturës dhe Transportit.

Në anën tjetër LDK-ja ka propozuar edhe dy gra të cilat do të jenë në kabinetin qeveritar. Sipas raportimeve, Vlora Dumoshi pritet të jetë në krye të Ministrisë së Kulturës si dhe Hykmete Bajrami pritet të udhëheqë Ministrinë e Arsimit.

Vlen të theksohet se sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, “Qeveria Kurti”, do t’i ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra

Komento: