Nesër dorëzohet në Kuvend platforma për dialog – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Nesër dorëzohet në Kuvend platforma për dialog

16:54 | 14 Shkurt 2019

Platforma për dialog nesër përfundimisht do të dorëzohet në Kuvend.

Dy bashkëkryesuesit e dialogut, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti kanë dalë nga takimi, duke thënë se tashmë është finalizuar platforma e dialogut dhe ajo do të dorëzohet nesër në Kuvend. Ata thonë se kjo platformë nuk lejon diskutimin me Serbinë për territor.

Limaj pas takimit ka thënë se platforma e hartuar paraqet qëndrimin zyrtar dhe të vetmin që Republika e Kosovës e ka në raport me dialogun me Serbinë.

“Kjo platformë paraqet qëndrimin zyrtar dhe të vetmin të Republikës së Kosovës”, është shprehur Limaj.
Ndërsa kryetari i Partisë Socialdemokrate ka thënë se nesër në orën 10:00 do t’i dorëzohet kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe 120 deputetëve.

“Nesër në orën 10:00 do ta dorëzojmë zyrtarisht platformën të Kryetari i Kuvendit. Ajo do të bëhet nesër publike”, është shprehur Ahmeti.

Ai thotë se platforma është analizuar në detaje dhe sipas Ahmetit, ajo ndalon të diskutohet për territorin.

“Fjali për fjali i kemi diskutu që disa ditë të jenë apo mos të jenë”, është shprehur kryetari i PSD-së.

“Platforma buron nga kushtetuta, dhe ajo garanton integritetin territorial”, ka shtuar ai.

Ahmeti sot është takuar me të gjithë krerët shtetërorë, për të folur rreth kësaj platforme.

Komento: