Dyshimet për hapjen e kasafortës së dokumenteve të Presidentit, nesër drejtori i AKI-së raporton para deputetëve.
Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Kreshnik Gashi, është ftuar nga Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së të raportojë në lidhje me raportimet se inspektorë të AKI-së kanë tentuar të marrin disa dokumente konfidenciale nga kasaforta e Presidencës së Kosovës.
Gashi është ftuar nga komisioni të raportojë të mërkurën nga ora 10:00. Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO com anëtari i komisionit për mbikëqyrje të AKI-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbër Rexhaj.
“Ne do ta mbajmë nesër mbledhjen në orën 10 sipas kërkesës së deputetëve të LVV në këtë komision, unë, Salih Zyba dhe Dimal Basha. Kemi kërkuar me ardhë drejtori i AKI-së i cili duhet të na raportojë për ngjarjet të cilat po i pretendon Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani”, tha Rexhaj.
Ai shtoi se kanë informacione se është tentuar të merren ato dokumente.“Informacioni paraprak është që sipas ushtrueses së detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani është tentuar të merren dokumente por nuk janë marrë. Për natyrën e llojit të dokumenteve nuk jemi në dijeni për shkak se janë thënë se janë konfidenciale siç është thënë dhe nuk kemi qasje në to”, shtoi ai.
Rexhaj thotë se në raportimin e nesërm mund të mësohet e gjithë e vërteta për këtë rast.
“Në mbledhje të komisionit kur nënshkruajmë betim, nuk flasim. Atëherë mund të marrim informacionin e plotë të shohim se çka përmbajnë ato dokumente dhe pse në formë të shpejtë sepse nuk dihet a ka qenë e jashtëligjshme por besohet se është e jashtëligjshëm që të tërhiqen në atë formë pa dijeninë e U.D. Vjosa Osmani. Megjithatë mendoj që do të ketë një epilog nesër ku do të kemi një raport për këtë rast”, tha në fund Rexhaj.
Në anën tjetër KALLXO.com ka kontaktuar dhe me Kabinetin e u.D të Presidentes, Vjosa Osmani të cilët kanë thënë se rastin e kanë denoncuar në organet e rendit.Ata në një përgjigje të shkurtë kanë përmendur se ndërhyrja ka qenë e paautorizuar.
“Rastin në fjalë menjëherë e kemi denoncuar te organet e rendit, të cilat po merren me të. Kjo ka qenë ndërhyrje e paautorizuar dhe shkelje e protokollit të sigurisë. Meqë rasti po hetohet, nuk mund të japim më shumë detaje”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të Osmanit.