Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, pretendon se Kryeministri Albin Kurti e ka urdhëruar largimin e tij nga pozita e drejtuesit të Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme.
Në njoftim të bërë në profilin e tij në Facebook, ish-Zëvendëskryeministri thotë se nesër në orën 10, do të flasë rreth këtij “urdhri” të Kurtit, për të kërkuar largimin e tij nga dy komisione.
“Nesër në ora 10:00 në hollin e Kuvendit Ju ftoj për konferencë për Media lidhur me urdhërin e Kryeministrit Kurti për të kërkuar nga Kuvendi shkarkimin nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BË- Kosovë”, ka shkruar Abazi.
Tutje, ai thotë se do të flasë edhe për “për audio/ video incizimet dhe skandalet tjera që ky urdhër mëton t‘i mbulojë”.
Haki Abazi i anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje para zgjedhjeve të 2019-s, ishte një prej figurave më të rëndësishme të Qeverisë Kurti I.
Shumë shpejt ai zbriti nga pozicionet e rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosje, duke mos u bërë fare pjesë e kabinetit të Kryeministrit Albin Kurti në mandatin e tij të dytë.
Abazi vazhdimisht shpreh pakënaqësitë dhe mospajtimet me partinë e tij, veçanërisht me kryesuesit e Grupit Parlamentar të LV-së në Kuvend.