Polici që humbi jetën në detyrë Izet Demaj do të varroset nesër në Koshare, aty ku edhe luftoi gjatë luftës.
Gjatë ditës së nesërme do t’i jepet lamtumira e fundit Izet Demaj, pjesëtarit të Policisë së Kosovës që humbi jetën dje në detyrë.
Kolegë të policit të ndjerë thanë se Demaj do të varroset në Koshare, në varrezat e dëshmorëve të luftës së fundit në Kosovë.
“Prej ora 10- deri në ora 13 mbahen homazhe në Istog ndërsa në ora 15:00 është varrimi në varrezat e dëshmoreve në Koshare”, thanë kolegë të policit të ndjerë për Gazetën Express.
Izet Demaj ishte edhe ushtar i UÇK-së.
Sot në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut, familja Demaj ka hapur dyert e shtëpisë për ngushëllime, për humbjen tragjike të djalit të tyre Izet Demaj.
Demaj po tentonte të ndalonte një hajn të armatosur, i cili kishte marrë dy pengje dhe po provonte të grabiste një bankë.
Polici Izet Demaj ka humbur jetën të enjten në Spitalin Rajonal të Pejës, pasi nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve të marra.
Kjo ngjarje ka tronditur gjithë qytetarët, e dje të gjithë krerët e shtetit kanë reaguar, duke e cilësuar Izet Demajn si hero të Kosovës.