KËto janë pikat e rendit të ditës për mbledhjen e Qeverisë të thirrur nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
Në dokumentin që ka siguruar Express shkruhet se në rend të ditës janë: aprovimi i procesverbaleve të disa prej mbledhjeve të kaluara, shqyrtimi i propozim-vendimit për kursime dhe ndarje buxhetore të organizatave buxhetore, shqyrtimi i raportit të Thesarit për të hyrat dhe shpenzimet nëntëmujore dhe shqyrtimi i propozim-vendimit për rivarrimin e Dëshmorëve të Kombit.
Haradinaj pas dorëheqjes së tij i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese nëse ka të drejtë të thërrasë mbledhje por përgjigja nga Kushtetuesja kishte qenë se çështjet e ngritura nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të kësaj gjykate.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj sot gjatë ditës ka deklaruar se mbledhja e thirrur për nesër u bë me kërkesë të ministrit në detyrë të Financave, Bedri Hamza.
“Mbledhja është kërkuar nga ministri i Financave, Bedri Hamza, për rirregullim dhe rialokimi i mjeteve që është obligim ligjor në fundvit për me mundësua funksionimin e të gjithë sektorëve, pra pagave dhe besoj që do të ketë nesër. Shteti funksionon dhe nuk ka kurrfarë rrezikimi. Sepse demokracia në Kosovë është e avancuar. Prej rastin të dorëheqjes sime, shpërbërja e parlamentit, të gjitha këto janë procese të parapara me ligj”, ka deklaruar Haradinaj.
Por, një gjë të tillë e ka demantuar vet Hamza për lajmi.net.Ai ka thënë se në mbledhjen e nesërme të Qeverisë nuk do të diskutohet për buxhetin e shtetit.
“Jo, nuk është në pyetje buxheti, se ne e kemi diskutuar çështjen e buxhetit. Do të thotë të gjitha ligjet që kanë qenë në Kuvend edhe kanë kaluar në komisione me shkresë na u kanë kthyer. Komisionet duhet me qenë funksionale. Por nëse mbahet mbledhja e Qeverisë, mbahet për çështje të rregullta të mirëmbajtjes së punës dhe aktivitete që janë të domosdoshme”, ka thënë Hamza.
Ai ka theksuar se mbledhje të qeverisë mund të ketë, por nuk do të thotë se është për buxhet.