Nesër mbahet seancë e jashtëzakonshme për Telekomin me kërkesë të opozitës

12:35 | 13 May 2019

Me kërkesë të dy partive opozitare, Vetëvendosjes dhe LDK-së nesër do të mbahet seancë e jashtëzakonshme për Telekomin.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, ka folur rreth mbledhjes së kryesisë së Kuvendit. Haxhiu tha se në këtë mbledhje u vendos të mbahen disa seanca, ndër to edhe seanca e jashtëzakonshme për Telekomin e Kosovës.

“Për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit, seanca plenare është vendosur të jetë me mbi 70 pika. Kjo për shkak të mospunës së Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli. Pasi që ai nuk e ka prioritet udhëheqjen e Kuvendit të Kosovës dhe për këtë janë mbledhur shumë projektligje, raporte etj.”

Deputetja Haxhiu ka thënë se gati 1 vjet ka kaluar nga rezoluta e votuar në Kuvend që e obligon qeverinë të ndërpresë kontratën e Telekomit të Kosovës me Z-Mobile.

“Grupi parlamentar i VV-së dhe LDK-së kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme, në lidhje me gjendjen e PTK-së dhe mos zbatimin e rezolutës së votuar në Kuvend të Republikës së Kosovës në qershor të vitit të kaluar. Afër 1 vjet ka kaluar që kur Kuvendi ka votuar një rezolutë sa i përket rimëkëmbjes së PTK-së, dhe asnjë nga pikat nuk janë zbatuar dhe njëra pjesërisht. Aty ka qenë një pikë e rëndësishme që ka pasur të bëjë me ndërprerjen e menjëhershme e kontratës me Z-Mobile dhe qeveria nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim. Edhe pse kjo ishte kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Për shkak të kësaj tani telekomi gjendet buzë falimentimit”.

Komento: