Nesër nis mësimi, SBASHK-u kërcënon me grevë

20:16 | 17 Janar 2021

Të hënën hapen shkollat.

Pas një muaji pushim, mbi 345 mijë nxënës të nivelit parauniversitar të hënën pritet t’u rikthehen bankave shkollore për të nisur gjysmëvjetorin e dytë. Procesi mësimor do të fillojë në shkolla sipas skenarit A dhe varësisht nga situata me pandeminë mund të kalohet në skenarin B – mësim i kombinuar, ose në skenarin C – mësim nga distanca.

Ministri në detyrë i Arsimit, Ramë Likaj, ka uruar të dielën nxënësit e mësimdhënësit me rastin e fillimit të periudhës së dytë mësimore. Përmes një postimi në Facebook ai ka kërkuar kujdes të shtuar dhe respektim të masave anti-COVID për të ruajtur shëndetin.

“Falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes MASH-it, DKA-ve, menaxhmentit të shkollave, nxënësve, prindërve, SBASHK-ut, donatorëve dhe partnerëve dhe të gjithë akterëve relevantë, ja kemi dalë të përmbyllim suksesshëm gjysmëvjetorin e parë. Ju ftoj që edhe kësaj radhe të tregojmë përkushtim dhe të bëjmë më të mirën në ofrimin e arsimit cilësor për nxënësit tanë”, ka shkruar Likaj.

Nxënësit e mësimdhënësit i ka uruar edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Sikurse Likaj, edhe ai ka bërë thirrje që të respektohen masat që janë në fuqi.

“Edhe ky gjysmëvjetor ka vështirësitë e veta, sepse virusi gjendet në mesin tonë, andaj të gjithë të angazhohemi, secili në detyrat dhe përgjegjësit e veta, në respektimin e masave parandaluese ndaj virusit. Paçim vit shkollor sa më të suksesshëm!”, ka shkruar Zemaj.
Nga ana tjetër, Sindikata e Bashkuar e Arsimit edhe të dielën nuk ka harruar ta përmendë grevën.

Përmes një komunikate, SBASHK-u ka ftuar Qeverinë dhe ministrin Likaj që javën e ardhshme të zhvillojnë një takim për të gjetur zgjidhje për shtesat e punëtorëve të arsimit dhe për nënshkrimin e kontratës kolektive.

“SBASHK-u përkrah rifillimin e procesit mësimor më 18 janar, por kujton se nëse institucionet nuk reflektojnë, atëherë Kryesia dhe kryetari i SBASHK-ut kanë autorizimin e Këshillit Drejtues që të shpallin veprime sindikale, duke mos përjashtuar edhe grevën e përgjithshme në tërë sektorin e arsimit. SBASHK-u po jep i hapësirë dialogut, por nëse pala tjetër nuk vepron njëjtë, atëherë përgjegjësinë për grevat dhe pasojat që sjell ajo do t’i bartin institucionet”, thuhet në komunikatë.

Për 4 muaj, sa zgjati gjysmëvjetori i parë, mbi 4 mijë mësimdhënës, nxënës e staf teknik u infektuan me COVID-19. Kjo ka bërë që Sindikata të kërkojë nga 100 euro shtesë në muaj për secilin punëtor të arsimit me pretendimin se rrezikuan shëndetin e tyre gjatë punës në shkolla.
Gjysmëvjetori i dytë pritet të përfundojë në fund të muajit qershor.

Komento: