Nesër përfundon afati, opozita ende pa komente në ZRRE për rrymën

23:13 | 30 January 2022

Rritje e çmimit të rrymës ka pasur shumë reagime.

Thirrën seanca e konferenca të jashtëzakonshme për ta kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Por Partia Demokratike, Lidhja Demokratike e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë ende nuk kanë dërguar komente në adresë të Zyrës së Rregullatorit për Energji, lidhur me këtë situatë. Madje asnjëra nga këto parti opozitare nuk e konfirmoi nëse këtë do ta bëjnë të hënën, kur edhe përfundon afati.

Teksa subjekti joparlamentar, Partia Socialdemokrate, tha se përgjigja e saj është protesta e një dite më parë.

“Fillimisht ZRRE duhet të hedh poshtë propozimin skandaloz të rritjes së çmimit të rrymës me këtë shumë kaq të madhe. Pas një veprimi të tillë, mund të ulemi e të flasim për zgjidhje dhe alternativa tjera”, u shpreh për Klan Kosova, zëdhënësja e PSD, Natyra Kuçi.

Ndryshe nga to, shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tregoi se komentet do t’i dorëzojë e do t’i bëjë publike të hënën. Njësoj do të veprojë edhe qeveria e cila, sipas zëdhënësit Përparim Kryeziu, është në finalizim të dokumentit.

Deri të premten, ZRRE-së i kanë shkuar gjashtë komente nga institucione jopolitike.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë ka propozuar që pragu prej 600 kilovatë të rritet, teksa çmimi të shtrenjtohet për 5% deri te pragu i përcaktuar. Si dhe thotë se tarifat duhet të rriten edhe për bizneset.

Përqindje pak më të lartë, 5.5% më shtrenjtë, ka propozuar Instituti për Politika Zhvillimore. Por ky propozon që bllok tarifat të jenë më të ulëta se në propozimin e ZRRE-së.

Komente kanë dërguar edhe KEDS dhe KESCO. Kjo e fundit kërkon rritje tarifore minimum 47%, që të mos rrezikohet sistemi, pas humbjeve në vitin e kaluar.

Kurse operatori KOSTT e ka alarmuar rregullatorin se janë në prag të falimentimit, pasi kanë shumë shpenzime, përfshirë pagesën e rrymës në veri të vendit. Andaj që situata në këtë institucion të merret parasysh në vendimin përfundimtar.

Këto, bashkë me komentet që do t’i pranojë të hënën, do të jenë referencë për ZRRE-në që të vendos se sa do të ketë rritje të çmimit të rrymës, në kohën kur kriza energjetike e ka goditur Kosovën.

Komento: