Nesër protestë, punëtorët e Shërbimit Korrektues kërkojnë paga më të larta

09:58 | 10 February 2019

Punëtorët e Shërbimit Korrektues janë shprehur të pakënaqur me pagat e tyre.

Sindikalistët e Shërbimit Korrektues kanë paralajmëruar se nesër do ta mbajnë një protestë, përmes së cilës do të kërkojnë që koeficienti i pagave të tyre të lëvizë nga 1.85 në 2.2.

Protesta është paraparë të fillojë para orës 08:00 para Drejtorisë dhe të përfundojë te Porta Zero në orën 09:00.

Ata po ashtu po kërkojnë që rrezikshmëria të jetë 40 përqind, pasi që thonë se puna e tyre nuk është e lehtë.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës në nivel Kosove, Zenun Sadikaj, ka thënë për KosovaPress se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen përmes kësaj protestë një orëshe, ata do ta diskutojnë mundësinë edhe për protesta në Prishtinë.

“Përmes ministrit të Drejtësisë kemi kërkuar që Ligji për Paga të mos kalojë. Me të vërtetë është bërë një padrejtësi, kemi një punë bukur të rëndë, në shumë raste edhe ne kemi të lënduar, dhe le të trajtohemi ashtu siç e meritojmë”, ka thënë Sadikaj.

Sadikaj ka shtuar se sindikalistët janë të zhgënjyer edhe nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, që sipas tyre nuk e mbajti fjalën që ua kishte dhënë.

“Ne i besuam ministrit, menduam që do ta mbante fjalën, që na kishte premtuar se do të jetë koeficienti si në Policinë e Kosovës edhe zjarrëfikësit. Ai nuk e mbajti premtimin. Ne e patëm një takim me të, takim thuajse dy orë para dy-tre ditësh, por nuk ishte të gjendje të na garantonte që do të ketë rritje”, ka thënë Sadikaj.

Së fundmi në Kosovë, të pakënaqur me Ligjin për paga janë shprehur disa sektorë publik. Pakënqësia e tyre ka rezultuar me protesta e greva, ku shquhet ato të mësimdhënësve dhe të mjekëve.

Komento: