Nesër synohet të votohet në lexim të parë, buxheti për vitin 2019

00:03 | 21 Dhjetor 2018

Gjatë ditës së nesërme do të votohet në parlamentin e Kosovës projekt buxheti për vitin 2019.

Nga Ministria e Financave pohojnë se pritet të ketë një rritje të dukshme të buxhetit për sektorin e sundimit të ligjit,

Po ashtu, rritje do të ketë edhe në arsim dhe shëndetësi, ndërkaq që rritja e tërësishme e buxhetit pritet të jetë rreth 4.7 për qind.

Mirëpo, koalicioni qeverisës ende nuk dihet nëse i ka votat e mjaftueshme për kalimin e këtij projekt buxheti.

Në seancën e kaluar ku u mbajtën diskutime të gjata rreth ndarjeve buxhetore për vitin 2019, opozita pati shumë vërejtje.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte thënë se ky buxhet nënkupton gërryerje të fondit të privatizimit.

Ai po ashtu ka kritikuar faktin që sipas tij në këtë buxhet përfshihet shumë dy herë më e madhe për Qeverinë se sa për Agjencinë Kosovare të Intelegjencës.

Përkrahje për buxhetin, ashtu si për ekipin dialogues nuk ka dhënë as partia e Shpend Ahmetit, PSD-ja.
Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Dardan Sejdiu kishte thënë se projekt buxheti për këtë vit është i njëjtë me atë të vitit të kaluar.

Problem tjetër, Sejdiu e kishte cilësuar edhe deficitin tregtar, si dhe vlerën e madhe të importit të mallrave.

Kundër kishte dalë edhe partia më e madhe opozitare në vend, LDK-ja.

Nga deputetë të këtij subjekti ishte kritikuar fakti që në projekt buxhet nuk ka plan afatgjatë tre vjeçar për Ushtrinë e Kosovës.

Seanca ku pritet që në lexim të parë të kryhet votimi për buxhetin e vitit 2019 do të fillojë në orën 13:00. /Lajmi.net/

Komento: