Nesër tërhiqet shorti i kandidatëve për zgjedhjet në veri, fletëvotimet me simbole të shtetit të Kosovës

16:55 | 29 April 2019

Me 19 maj, në katër komunat veriore do të mbahen zgjedhjet për kryetarë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të katër komunave veriore do të mbahen me simbole të shtetit të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nesër do të bëj tërheqjen e shortit për renditjen e kandidatëve të subjekteve politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme të komunave veriore.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi , zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotimet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në Komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok do të bëhet nesër”, ka treguar Elezi.

I pyetur në lidhje me fletëvotimet, Elezi, ka thënë se fletëvotimet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore do të bëhen njëjtë si në vitin 2017, pra me simbole të Republikës së Kosovës.

“Fletëvotimet do të jenë të njëjta me ato të Zgjedhjeve Lokale të vitit 2017. Pra, fletëvotimet do të përmbajnë simbolet e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Elezi për lajmi.net.

Ai po ashtu ka thënë se deri më tani janë certifikuar tri subjekte politike me nga katër kandidatë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit. Pra, janë certifikuar 3 subjekte politike me nga 4 kandidatë”, ka thënë Elezi.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok do të mbahen më 19 maj të këtij viti, ku të drejtë vote kanë mbi 58 mijë qytetarë.

Të gjithë këta qytetarë mund të votojnë për dy subjekte shqiptare dhe një serbe, pra Partinë Demokratike të Kosovës, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe.

Komento: