
Manuel Neuer mund të bëjë sot (e shtunë) historinë e Bayern Munichut. Portieri legjendar gjerman ka mundësinë të bëhet lojtari më i vjetër që ka luajtur për klubin e Mynihut në Bundesligë kur të luajë kundër RB Leipzig.
Neuer do të jetë 40 vjeç e 204 ditë në ditën e ndeshjes, duke thyer rekordin e mbajtur nga Bernd Dreher për gati dy dekada.
Dreher luajti ndeshjen e tij të fundit në Bundesligë për Bayernin më 19 maj 2007, kundër Mainzit, kur ishte 40 vjeç e 198 ditë. Nëse Neuer luan kundër Leipzigut, do ta tejkalonte atë për gjashtë ditë, njoftuan Bundesliga dhe Bayern në faqet e tyre zyrtare.
Nuk është ende e sigurt nëse Neuer do të ketë mundësinë ta thyejë rekordin që të shtunën. Pas ndeshjes së ligës kundër Augsburgut, e cila përfundoi 2-2, portieri me përvojë u ankua për probleme me këmbën. Për shkak të kësaj, ai humbi ndeshjen e Ligës së Kampionëve të kësaj jave kundër Vikingut, në të cilën Bayern barazoi 3-3.
Trajneri Vincent Kompany konfirmoi në një konferencë për shtyp të premten se Neuer nuk ishte stërvitur një ditë më parë dhe se një vendim për pjesëmarrjen e tij do të varet nga shëndeti i tij. Nëse ai nuk është në formë, 23-vjeçari Jonas Urbig duhet të luajë.
Neuer iu bashkua Bayernit nga Schalke në vitin 2011 dhe që atëherë është bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm në historinë e klubit. Ai ka fituar trofe të shumtë me bavarezët, përfshirë dy Liga Kampionësh, dhe është konsideruar si një nga portierët më të mirë në botë për më shumë se 15 vjet.