Neymar nuk i mbajti lotët në fund të ndeshjes.
Paris Saint-Germaini ka pësuar humbje nga Bayern Munichu në finalen e Ligës së Kampionëve që u zhvillua të dielën mbrëma në Estadio Da Luz.
Bavarezët u mjaftuan me një gol të shënuar në gjysmën e dytë nga Kingsley Coman që rezultoi edhe goli i fitores.
Për klubin francez ishte finalja e parë në histori dhe natyrisht që yjet e skuadrës parisiene ishin të zhgënjyer që nuk ishin ata që e ngritën trofeun.
Njëri prej tyre ishte sulmuesi kryesor, Neymar, i cili pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit nuk arriti t’i përmbante emocionet.
Braziliani nuk i mbajti lotët dhe për disa minuta ka qarë pas humbjes, derisa kamerat e fokusonin vazhdimisht atë.
Kujtojmë që Neymar e ka fituar Ligën e Kampionëve një herë gjatë karrierës së tij, kur ishte futbollist i Barcelonës.