Fabregas lavdëron Neymarin: Ai i ka cilësitë e Ronaldinhos.
Cesc Fabregas beson se Neymari i ka cilësitë si të legjendës braziliane të futbollit, Ronaldinhos, dhe thotë se ai i ka të gjithë cilësitë për të qenë më i miri, përderisa janë kthyer spekulimet për një kthim në Barcelonë.
Sulmuesi brazilian u largua nga Camp Nou në vitin 2017, kur Paris Saint-Germaini ia pagoi atij klauzolën për shkëputjen e kontratës me Barcelonën në vlerë prej 222 milionë eurosh, transmeton Gazeta Express.
Ai ka qenë ylli i gjigantit francez, mirëpo lëndimet ia kanë pamundësuar ta dëshmojë veten ashtu siç ai kishte shpresuar, ndërsa tani janë kthyer sërish spekulimet për një kthim të mundshëm të tij në Camp Nou.
Fabregasi – i cili tani luan për Monacon – kishte shijuar suksese përkrah sulmuesit brazilian në Katalonjë dhe tani e ka lavdëruar Neymarin duke e krahasuar atë me Ronaldinhon.
“Neymari ka cilësi në nivelin e Ronaldinhos. Ai është një superyll që e bën dallimin kur të dojë. Ka kaluar një kohë që kur unë kam luajtur me të dhe ai së fundi na shkatërroi në dy ndeshjet që i kishim me PSG-në”, ka thënë Fabregas.
“Lionel Messit, Luis Suarezit dhe të tjerëve u pëlqente ta kishin atë në skuadër sepse në cilindo moment ai mund ta bënte një asist apo të driblonte, diçka që është e vështirë në një ndeshje të barabartë”.