Nga 1 tetori paga minimale në Kosovë 350 €, sindikalistët shprehen të pakënaqur

09:08 | 22 Shtator 2024
nga-1-tetori-paga-minimale-ne-kosove-350-e,-sindikalistet-shprehen-te-pakenaqur

 

Në fund të muajit që lamë pas  Qeveria e Kosovës ka vendosur ta rris pagën minimale në 350 euro bruto, vendim ky që pritet të hyjë në fuqi më 1 tetor.

Kryeministri Albin Kurti me rastin e marrjes së këtij vendimi nga ekzekutivi i vendit ka njoftuar se kjo masë do të ndihmojë më shumë se 150 mijë të punësuar në vend.

Ky zhvillim ka nxitur reagime nga pozita dhe opozita, si dhe nga kryetari i sektorit privat dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), të cilët kanë shprehur pritshmëri dhe shqetësime për ndikimin e kësaj rritjeje në ekonominë e vendit dhe tregun e punës.

Deputeti i VV-së: Paga minimale do të vazhdojë të rritet në Kosovë

Deputeti  nga  Lëvizja Vetëvendosje,Gramos Agusholli, ka konfirmuar se rritja e pagës minimale në 350 euro bruto, e cila do të hyjë në fuqi më 1 tetor 2024, është një vendim i miratuar nga Kryeministri dhe Ministri i Financave. Ai thekson se nuk ka arsye për të dyshuar se ky vendim nuk do të zbatohet siç është parashikuar.

“Kryeministri dhe Ministri i Financave kanë konfirmuar vendimin për rritjen e pagës minimale në 350 euro bruto, që do të hyjë në fuqi nga 1 tetori dhe nuk ka asnjë arsye që ky vendim të mos zbatohet brenda afatit të përcaktuar”, tha Agusholli për FrontOnline.

Agusholli e konsideron këtë rritje si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punëtorëve pas një periudhe të gjatë stagnimi ekonomik. Ai gjithashtu beson se paga minimale do të vazhdojë të rritet edhe më tej në të ardhmen.

“Kjo rritje shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të punëtorëve, veçanërisht pas një dekade të gjatë stagnimi ekonomik dhe social. Për shumë punëtorë, kjo nismë vjen si një lehtësim i mirëpritur në përballimin e rritjes së kostove të jetesës dhe unë besoj që kjo pagë minimale do të vazhdojë të rritet edhe më tej në një të ardhme të afërt’’, përfundoi Agusholli.

 

Deputeti Shala: Rritja e pagës minimale  truk, jo efektiv për përmirësimin e gjendjes

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës,Ferat Shala,  ka thënë se edhe nëse hyn në fuqi ky vendim  siç është paraparë, kjo rritje nuk do të ketë ndikim të rëndësishëm për përmirësimin e gjendjes reale të pagës minimale.

Ai argumenton se inflacioni i lartë dhe çmimet e konsumit familjar nuk janë marrë parasysh në këtë vendim, dhe se nuk ka pasur konsultime të mjaftueshme me Këshillin Ekonomiko-Social.

“Parimisht edhe nëse hyn në fuqi më 1 tetor, vendimi për rritjen e pagës minimale efektet e këtij veprimi të qeverisë janë minimale duke i shtuar kësaj faktin se inflacionin gjatë këtyre viteve të fundit Kosova e ka pasur shumë të lartë dhe i shtojmë faktin se kjo pagë nuk i plotëson kriteret as minimale për jetesë”, tha Shala

Sipas tij, ky vendim është më shumë një truk sesa një zgjidhje efektive për problemet ekonomike që përballen ata që mbështeten në pagën minimale.

“Do të thotë ne këtë e konsiderojmë një truk, po jo efektiv për përmirësimin e gjendjes reale të pagës minimale por edhe atyre që janë të varur nga paga minimale”, përfundoi Shala.

Lekaj: AAK kundër vendimit të pagës 350 euro, veprim “shkel e shko” i Qeverisë

 

Deputeti Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka kritikuar vendimin për pagën minimale duke e quajtur një veprim populist të Qeverisë “Kurti”, siç thotë ai, për të mashtruar qytetarët përpara zgjedhjeve.

Ai ka theksuar se shumë ide dhe vendime që nuk ishin marrë gjatë katër viteve të qeverisjes tani po realizohen nën presionin e afërt të zgjedhjeve.

“Qeveria Kurti tashmë ka hyrë në procesin e fushatës ku ka filluar të marrë vendime populiste për të mashtruar qytetarët e Kosovës para zgjedhjeve. Shumë ide, veprime e vendime që nuk u morën që 4 vite në qeverisje, janë duke u bërë tani në formën “shkelë e shko” “,tha Lekaj

Lekaj ka vënë në dukje se AAK është kundër shumës së vendosur prej 350 euro, duke argumentuar se kjo shumë nuk pasqyron nevojat e vërteta të punëtorëve në sektorin privat.

Ai ka propozuar që paga minimale të rritej në 450 euro dhe ka shprehur shpresën se zgjedhjet e ardhshme do të mundësojnë ndryshime në qeverisje, duke kritikuar qeverinë aktuale për regres në të gjithë sektorët

Ne si AAK jemi kundër kësaj shume sepse nuk paraqet gjendjen reale dhe kërkesat e drejta të punëtoreve në sektorin privat. Ne edhe para 1 viti kemi kërkuar që paga minimale duhet të jetë 450 euro, por që Qeveria Kurti nuk e bëri sepse nuk ishte ide e tyre dhe që u frikësua që merita do të na mbeste neve si Opozitë. Zgjedhjet që po vijnë, shpresojmë ti japin popullit mundësinë ti largojnë nga pushteti, sepse në Kosovë ka nevoja të ndryshohet mënyra dhe forma e qeverisjes”, përfundoi Lekaj.

 

 

Jusuf Azemi: Paga 350 euro nuk është e pranueshme për ne

KryetarI i sindikatës së  sektorit privat, Jusuf Azemi  ka shprehur dyshime mbi realizimin e vendimit për rritjen e pagës minimale në 350 euro bruto.

Ai ka theksuar se nuk beson se ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 tetor 2024, duke e konsideruar atë të paqartë dhe të pa qartësuar në mënyrë ligjore.

“Realisht nëse e shohim në formë ligjore nuk është ardhur  deri te hyrja në fuqi e këtij vendimi , nuk e besoj se do të hyjë në fuqi ky vendim nga 1 tetori, mirëpo gjithçka është e mundur , por nëse pyesim se a është ardhur deri te një formë e kësaj page në mënyrë ligjore , nuk është ardhur”, tha Shala

Azemi gjithashtu ka theksuar se paga e propozuar nuk është e pranueshme për sektorin privat dhe ka shprehur skepticizëm që ky vendim do të realizohet, duke e krahasuar me vendime të tjera që janë diskutuar por nuk janë zbatuar. Ai përfundon duke thënë se aktualisht nuk po shohin ndonjë ndryshim serioz nga ky vendim.

“Për ne nuk është e pranueshme kjo pagë 350 euro sepse kjo pagë ka pasur efektin e vet sigurisht në fillim të mandatit ashtu edhe siç është premtuar dhe realisht nuk e besoj që ky vendim do të hyjë në fuqi sepse si shumë vendime të tjera vetëm është folur dhe ka mbetur ashtu prandaj nuk po shohim kurgjë diçka serioze”, deklaroi Shala.

 

Kreu i BSPK-së: Rritja e pagës minimale në 350 euro hap i rëndësishëm, por nuk është ajo që kemi dashur

 

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka komentuar lidhur  rritjen e pagës minimale në 350 euro bruto që  parashihet të hyjë në fuqi më 1 tetor 2024.

Ai e ka parë këtë rritje si një hap pozitiv për përmirësimin e kushteve të jetesës, por ka shprehur shqetësime se ajo mund të mos jetë e mjaftueshme për të përballuar rritjen e çmimeve dhe koston   e jetesës.

 

“Rritja e pagës minimale në 350 euro, siç është vendosur nga Qeveria Kurti për të hyrë në fuqi më 1 tetor 2024, është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të jetesës për shumë qytetarë dhe për rritjen e standardeve të jetesës në vendin tonë, po nuk është ajo që është dashur – tashmë më edhe kjo është pak krahasuar me rritjen e çmimeve dhe të kostos së jetesës”, tha Hykolli.

Hykolli ka theksuar rëndësinë e implementimit të këtij vendimi me përgatitje dhe koordinim të mirë, duke paralajmëruar për disa sfida si adaptimi i sektorëve ekonomikë, ndikimi në tregun e punës, dhe siguria financiare e bizneseve të vogla dhe të mesme.

“Implementimi i këtij vendimi është një proces kompleks që kërkon përgatitje dhe koordinim të mirë, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për sfidat që mund të lindin gjatë zbatimit të tij.

Sfidat mund të përfshijnë adaptimin e sektorëve të ndryshëm ekonomikë, menaxhimin e ndikimeve në tregun e punës, dhe sigurinë e qëndrueshmërisë financiare të bizneseve të vogla dhe të mesme. Po ashtu, do të ketë nevojë për mbështetje dhe monitorim të vazhdueshëm nga institucionet përkatëse për të siguruar që ky ndryshim të implementohet në mënyrë efektive dhe të drejtë nga të gjithë punëdhënësit”, u shpreh Hykolli.

 

Ai ka siguruar që BSPK do të monitorojë zbatimin e këtij vendimi dhe do të angazhohet për të adresuar çdo problem që mund të lindë, duke kërkuar gjithashtu përmirësime të mëtejshme në pagën minimale për të ndihmuar në rritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale të punonjësve

“ Ne si Bashkim i Sindikatave të Pavarura të Kosovës do të vazhdojmë të ndjekim dhe të angazhohemi për të siguruar që ky vendim të ketë ndikimin pozitiv të pritur dhe të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të jetesës për punonjësit dhe do të vazhdojmë të negociojmë vlerën e re të pagës minimale që do të ndihmonte në rritjen e mirëqenies ekonomike e sociale të të punësuarëve”, përfundoi Hykolli.

 

 

Komento: