Nga 20 dhjetori, në territorin e Serbisë mund të hyhet vetëm me test negativ PCR

20:06 | 15 December 2020

Nga 20 dhjetori, në territorin e Serbisë mund të hyhet vetëm me test negativ PCR.

Qeveria e Serbisë ka vendosur të kërkojë testin negativ të koronavirusit për udhëtarët që hyjnë në territorin e saj. Testi PCR, duhet të jetë jo më i vjetër se 48 orë, dhe do t’iu kërkohet si shtetasve të vendit, ashtu edhe të huajve. Siç, njoftoi Qeveria e Serbisë, ky vendim do të hyjë në fuqi të dielën, më 20 dhjetor.

Testi PCR përcakton nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.
Qeveria e Serbisë miratoi këtë masë pas rekomandimit të Shtabit të Krizave, institucionet që merret me mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga pandemia.

Gjithashtu u njoftua se qytetarët e Serbisë, të cilët nuk kanë një test negativ PCR, do të detyrohen të hyjnë në vetizolim për dhjetë ditë. Megjithatë, ata mund të testohen në Serbi dhe nëse testi i tyre PCR është negativ, ata nuk do të jenë më të detyruar të qëndrojnë në izolim në shtëpi.

Qeveria e Serbisë u bëri apel të gjithë qytetarëve që duan të testohen në baza vullnetare, që të caktojnë terminin për test ekskluzivisht në mënyrë elektronike, në mënyrë që të shmangen turmat dhe radhët para ambulancave të COVID-19.

Në 24 orët e fundit, Serbia shënoi 53 viktima dhe 5884 të infektuar me koronavirus.

Komento: