“Nga 8.200 hektarët që iu dhanë Malit të Zi u nxor vetëm një karrige kryeministri”

13:05 | 21 March 2019

Sot janë bërë një vit kur Kuvendit i Kosovës ka votuar demarkacionin me Malin e Zi.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti konsideron se 8.200 hektarë tokë e Kosovës, një vit më parë iu dha Malit të Zi për një karrige.

Kurti nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se më 21 mars të vitit të kaluar u votuta versioni “Meha” i demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend. Sipas tij, deputetët e Kuvendit nuk do të arrinin t`i bënin 80 vota për votimin e kësaj marrëveshjeje, pa mashtrimin për korrigjim të saj.

“8.200 hektarë për një karrige. Sot u bënë një vit prej kur u ratifikua demarkacioni “Meha” në Kuvend, ndërkaq nesër bëhen 400 ditë të marrëveshjes ‘korrigjuese’ Thaçi-Vujanoviq. Për ironi, mu në ditën ndërkombëtare të pyjeve, më 21 mars, iu dhanë 8.200 hektarë Malit të Zi. 80 vota kurrsesi nuk do t’i bënin atë ditë pa këtë mashtrimin me korrigjim kufiri. Marrëveshja e Podgoricës e pranonte gabimin por mashtronte se do ta korrigjonte atë. Një vit më vonë as që është formuar Trupi i Përbashkët Punues për të cilin thuhej se do ta kthejë kufirin në Çakor e Zhlep e me Bjelluhën brenda Kosovës. Nuk është turp nëse deputetët thonë se janë mashtruar. Turpi i përket mashtruesit. Mirëpo, nëse cilido pas mashtrimit, për shkak të egos, nuk pranon se ka qenë i mashtruar, atëherë bëhet bashkëfajtor. Ratifikimi ishte zdrukthtari e jo demokraci. Nga pyjet e atyre 8.200 hektarëve u nxor sall një karrige kryeministri”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.

Ndryshe, pas rreth tre vitesh protesta e kundërshtime, një vit më parë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 80 vota për, votuan marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi, së cilës ju shtua një aneks marrëveshje e cila parashihte korrigjimin e të parës.

Komento: