
Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve janë numëruar 72.83% e votave me postë. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri më tani janë numëruar 67 nga gjithsej 92 kuti të votimit me postë.
Nga rezultatet preliminare, prin Lëvizja Vetëvendosje me 72.56% të votave, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 10.62% dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 8.19%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 4.73% të votave.
Ndryshe sipas një njoftimi nga KQZ, nga fillimi i procesit të numërimit (e shtunë, 3 janar, ora 16:00) e deri të dielën në orën 16:00, ishin numëruar 41 nga gjithsej 92 kuti të votimit me postë, brenda të cilave ndodhen pakot me fletëvotime që deri tani janë sjellë në Kosovë.
Fletëvotimet e numëruara u takojnë komunave: Deçan (4 kuti), Gjakovë (6), Gllogoc (2), Gjilan (7), Dragash (1), Istog (4), Kaçanik (2), Klinë (2), Fushë Kosovë (2), Kamenicë (3), Mitrovicë e Jugut (4), Lipjan (2) dhe Rahovec (2).
Ndërkohë, në platformën elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të dhënat për rezultatet e votimit me postë po përditësohen vazhdimisht.
Procesi i numërimit të votave me postë po vazhdon, ndërsa rezultatet mbeten preliminare deri në përfundimin e plotë të numërimit dhe certifikimin zyrtar nga KQZ. /Telegrafi/
