Nga bashkë-avokat në konsulent, ndryshime në ekipin mbrojtës të Thaçit

11:08 | 14 October 2024
nga-bashke-avokat-ne-konsulent,-ndryshime-ne-ekipin-mbrojtes-te-thacit

Peter McCloskey i cili mbante pozitën e bashkë-avokatit në ekipin mbrojtës të Hashim Thaçit i ka përfunduar kontrata, kështu që më pas është emëruar si konsulent.

Sipas njoftimit të Administratores së Gjykatës Speciale, më 23 shtator 2024, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq kishte kërkuar përfundimin e kontratës për McCloskey si bashkë-avokat dhe emërimin e tij si konsulent.

“Më 23 shtator 2024, avokati i z.Thaçi, z. Luka Mishetiq, dërgoi një e-mail te Shefi i Zyrës së Mbrojtjes duke kërkuar përfundimin e kontratës së z. McCloskey si Bashkë-Avokat për z. Thaçi dhe emërimin e tij si Konsulent me efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e Administratores.

Në të njëjtin dokument thuhet se avokati Mishetiq ka informuar Zyrën e Mbrojtjes së përfundimi i kontratës së bashkë-avokatin nuk do të ketë efekt negativ tek procesi dhe as të klienti i tyre.

“Më 8 tetor 2024, Regjistri konfirmoi përfundimin e kontratës së z. McCloskey si Bashkë-Avokat për z. Thaçi në përputhje me Nenin 18(6) të Udhëzimit për Avokatët dhe e miratoi atë si Konsulent në përputhje me kërkesat e përcaktuara në Nenit 18(2) dhe (3) të Udhëzimit për Avokatët”, thuhet tutje në këtë dokument.

Ndërsa, tutje thuhet se dokumenti ka edhe një aneks i cili është konfidencial pasi sipas tyre përmban informacione personale që lidhen me avokatin dhe McCloskeyn.

Aktualisht, ekipi mbrojtës i Thaçi përbëhet nga avokati mbrojtës, Luka Mishetiq ndërsa si bashkë-mbrojtës janë: Dastid Pallaska, Pier Rishar Prosper, Sofi Menegon dhe Nina Tavakoli.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Komento: