Nga Davosi Thaçi thotë se Kosova është shtet i ri, por me potenciale të mëdha – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Nga Davosi Thaçi thotë se Kosova është shtet i ri, por me potenciale të mëdha

20:56 | 24 Janar 2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Kosova është me fat që ka miq dhe gjen dyer të hapura kudo në forumet më të rëndësishme botërore.

Ai ka thënë se Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës vazhdon të ofrojë platformën më të mirë për komunikim dhe afrim të politikave ndërmjet liderëve politikë, organizatave ndërkombëtare dhe botës së biznesit, me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve në tërë botën.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Thaçi ka shkruar se pjesëmarrja e Kosovës në këtë Forum është një mundësi e jashtëzakonshme.

Sipas tij, Kosova është shtet i ri, por me potenciale të mëdha.

Postimi i plotë i Thaçit pa ndërhyrje:

Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës vazhdon të ofrojë platformën më të mirë për komunikim dhe afrim të politikave ndërmjet liderëve politikë, organizatave ndërkombëtare dhe botës së biznesit, me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve në tërë botën.

Për Kosovën kjo është një mundësi e jashtëzakonshme që të takojmë liderët e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare më të mëdha e më të rëndësishme, për të krijuar lidhje të reja bashkëpunimi dhe për të promovuar potencialet tona për zhvillim.

Kosova është shtet i ri, por me potenciale të mëdha. Këto potenciale dhe përkushtimin tonë për të kontribuar për paqen dhe përparimin e përgjithshëm i shpalosa edhe në takimet e shumta bilaterale, si dhe në tryezat ku merrnin pjesë prej Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, Shefes së Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg, Presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, Kancelarit të Austrisë, Sebastian Kurz, deri te kryeministrat e ministrat e shteteve si Gjermania, Britania e Madhe, Singapuri, Kanadaja dhe shefat e kompanive të mëdha si “Philips” apo drejtorët e organizatave si “GreenPeace” dhe të tjera.

Kosova është me fat që ka miq dhe gjen dyer të hapura kudo në forumet më të rëndësishme botërore.

Komento: