Avokati i njohur Tomë Gashi thotë se javën e ardhshme nis ngritja e aktakuzave nga Gjykata Speciale.
Këtë fundjavë drejt Hagës do të udhëtojnë ish-eprorët e lartë të UÇK-së Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku, të cilët të hënën e ardhshme do të merren në pyetje nga prokurorët e Speciales. Në fillim të javës së ardhshme drejt qytetit holandez do të udhëtojë edhe Sabajdin Cena, ish-epror nga Zona Operative e Pashtrikut. Ndërsa, aktakuzat e para sipas avokatit Tomë Gashi do të ngrihen javën e ardhshme.
Avokati Tomë Gashi ka thënë se të ftuarit e deritanishëm nga Gjykata Speciale shumica prej tyre janë ftuar në cilësinë e të dyshuarve, madje sipas Gashit shumë shpejt do të ngrihen edhe aktakuzat e para nga ky institucion i drejtësisë.
“Askush nga Gjykata Speciale nuk është ftuar në cilësinë e të akuzuarit, për shkak se ne ende nuk kemi akuza të para të ngritura, por shumica prej tyre janë ftuar në cilësinë e të dyshimtëve. Tashmë dihet se atje është duke i pritur një ekip i prokurorëve e jo vetëm një i vetëm dhe sigurisht se do t’u kërkojnë sqarime të ftuarve të parë, do t’i marrin në pyetje nëse ata pranojnë të flasin dhe tek në javën e ardhshme pritet ngritja e aktakuzave të para”, ka thënë ai, për Gazetën “Zëri”.
Gashi vlerëson se Zyra e Prokurorit të Specializuar tashmë ka mbledhur informacionet e nevojshme dhe brenda disa javëve do të ngrejë edhe aktakuzat e para.
“Zyra e Prokurorit Special ka të drejtë të vendosë në bazë të ligjit, duke marrë në pyetje fillimisht persona të dyshuar dhe duke grumbulluar dëshmi, por prokurorët kanë hetuar për këtë çështje që nga fillimi i vitit 2011 dhe faktikisht raporti i parë ka dalë në vitin 2014. Pra për 7 vjet prokurorët kanë grumbulluar provat e mundshme dhe thjesht po ua japin mundësinë të dyshuarve të japin deklarata në mbrojtjen e tyre. Aktakuzat janë të gatshme, por jo të ngritura”, ka thënë Gashi.
Ai thotë se në këtë fazë të ftuarit nga Gjykata do të japin vetëm sqarime për të dhënat që Prokurori tashmë i ka gjetur.
“Deri më tani nuk kemi një të akuzuar, nuk kemi një lëndë e cila i është dërguar Gjykatës për t’u proceduar, por shumë shpejt kjo do të ndodhë. Mund të jetë kjo një fazë ku të ftuarit vetëm do të japin sqarime për ato që prokurorët tashmë i kanë nëpër sirtarët e tyre, gjë që është e drejtë që secilit t’i jepet mundësia të japë sqarime për pretendimet e përfshirjes së tyre nëpër veprat penale për të cilat dyshohen”, ka theksuar ai.