Nga klasa e tretë në podium botëror: Nil Kelmendi triumfon në ShBA, i pari në Matematikë dhe i treti në Shkencë në Neo Science Olympiad

12:26 | 18 Janar 2026
Nga klasa e tretë në podium botëror: Nil Kelmendi triumfon në ShBA, i pari në Matematikë dhe i treti në Shkencë në Neo Science Olympiad

Nxënësi i talentuar Nil Kelmendi, nga klasa e tretë, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, duke u renditur i pari në kategorinë “Best of the Best” në Matematikë dhe i treti në kategorinë “Best of the Best” në Shkencë në garën prestigjioze Neo Science Olympiad, e cila u mbajt nga 10 deri më 15 janar në Orlando, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo arritje merr edhe më shumë peshë kur dihet se Nili nuk shkëlqeu vetëm në fazën finale, por tregoi konsistencë dhe nivel të lartë përgatitjeje gjatë gjithë procesit të garës. Ai u rendit i pari në të gjitha fazat parakualifikuese online, duke konkurruar me nxënës nga vende të ndryshme të botës dhe duke dëshmuar përkushtim, disiplinë dhe talent të veçantë në fushat e matematikës dhe shkencës.

Suksesi i Nil Kelmendit është një dëshmi e qartë se talenti, puna e vazhdueshme dhe mbështetja e duhur mund të sjellin rezultate të mëdha, edhe në moshë shumë të re. Ky rezultat nuk është vetëm një arritje personale për Nilin dhe familjen e tij, por edhe një krenari për Kosovën, duke treguar potencialin e jashtëzakonshëm që kanë nxënësit tanë në skenën ndërkombëtare.

Pjesëmarrja e fëmijëve nga Kosova në këtë garë u organizua nën përkujdesjen e Kosova Global Talent Center, i cili po luan një rol të rëndësishëm në identifikimin, zhvillimin dhe përkrahjen e talenteve të reja në fusha akademike dhe shkencore. Ky sukses shërben si frymëzim për nxënësit e tjerë dhe si motivim për të investuar edhe më shumë në edukim, dije dhe zhvillimin e talenteve të reja.

Komento: