Gjiganti “Trepça” edhe këtë vit është përcjell me shumë sfida.
Ndonëse punën ka vazhduar si vitet e më pashme, kjo ndërmarrje edhe më tutje nuk ka një statut.
Statuti për Trepçën do t’i hapte rrugë zhvillimit të këtij gjiganti ekonomik. Ky statut ishte miratuar dhe dërguar në Kuvendin e Kosovës, me propozim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Për kryetaren e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Sala Berisha Shala, statuti ishte tërhequr për shkak të pakënaqësive që ka pasur Sindikata e Punëtorëve të Trepçës.
Berisha Shala në një intervistë për Ekonomia Online pohon se jo zyrtarisht ka marrë informacion se ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, e ka dorëzuar atë në Kuvend.
“Fillimisht kur ka ardhur statuti i Trepçës në Kuvend nga Qeveria, deputetët e opozitës nuk iu kanë bashkëngjitë grupit të punës, me punuar për statutin e Trepçës, në mënyrë që me e funksionalizuar Trepçën. Ndërkohë që ka pas pakënaqësi nga Sindikata Punëtorëve të Trepçës dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Lluka, e ka tërheq një farë forme statutin nga Kuvendi dhe është marrë vesh, e ka bë një marrëveshje me Sindikatën e Trepçës dhe prej asaj kohe nuk e kemi pas në Kuvend statutin. Tani kam dëgjuar, ende nuk e kam marrë zyrtarisht si kryetare e komisionit, kam marrë informacion dje nga ministri se e ka dorëzuar në Kuvend statutin”, tha Berisha Shala për Ekonomia Online.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se komisioni që ajo drejton ka arritur t’i procedojë të gjitha projektligjet.
“Nga gjithsej 23 ligjet që i kemi pas në procedurë për t’i trajtuar, 22 i kemi përfundu, s’ka mbete asnjë në komision. Domethënë 23 i kemi përfunduar si komision, ndërkohë që janë miratuar dhe janë në fuqi 19 ligje, kanë mbetur tre ligje që presin vetëm votimin e tyre në Kuvend”, u shpreh Berisha Shala.
Sa u përket bordeve të ndërmarrjeve publike, përveç kryetarit të bordit të zyrës së Rregullatorit të Energjisë, i cili ka mbetur nga seanca në seancë pa u zgjedhur, tjetër ka mbetur edhe bordi i KOSTT-it, për të cilin Berisha Shala, ka thënë se procedura për përzgjedhjen e tij do të bëhet në javën e dytë të janarit. Megjithëse këtë vit deputetët e opozitës kishin deklaruar disa herë se vendi mund të shkojë në zgjedhje, për deputeten Berisha Shala, Kosova as në vitin 2019 nuk do të ketë zgjedhje të reja.