Nga legalizimi i 350 mijë pronave, zhbllokohen 10 miliardë euro kapital

17:52 | 20 September 2019

Në Kosovë ekzistojnë më shumë se 350 mijë prona të pa legalizuara, ndërsa kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka paralajmëruar legalizimin e të gjitha pronave që nuk janë kontestuese. E kjo nismë është mirëpritur nga qytetarët por edhe nga ndërtuesit e objekteve ndërsa e konsiderojnë proces të vonuar.

Qytetarët e mbi 350 mijë pronave në tërë territorin e Republikës së Kosovës po vazhdojnë të mos kenë fleta poseduese për pronat e tyre. Ndonëse shumë ndërtime kanë përfunduar por edhe ato që janë në ndërtim e sipër e kanë të pamundur të pajisen me një dokumentacion të tillë.

E pasojat e këtij problemi të kamotshëm po i vuajnë qytetarët dhe kompanitë e ndërtimeve. Por një nismë të shpejtë për zgjidhjen e këtij problemi shumë vjeçar, ditë më parë e ka paralajmëruar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Nisma tjetër ka të bëjë me legalizimin e 350 mijë ndërtimeve pa leje ku mbahen të bllokuara miliarda euro kapital i papërdorshëm e qytetarëve tanë”, ka thënë Veseli ditë më parë.

Sipas llogaritjeve të fundit, janë rreth 10 miliard euro investime nëpër këto prona që janë të bllokuara në mungesë të fletëve poseduese.

Një ide e tillë nga qytetarët e Prishtinës e cila ka numrin më të madh të ndërtimeve po shihet si nismë e mirë ndonëse e vonuar.

Nuhi Kryeziu një qytetar i Prishtinës ka thënë se mungesa e fletës poseduese sigurisht paraqet problem për marrjen e kredive.

“Në qoftë se nuk mundesh me posedu një fletë poseduese ti nuk di cka mundesh me ba. Edhe në qoftë se ki shtëpinë ose banesën nëse nuk e ke fletën poseduese atëherë faktikisht ti nuk ki kurgja. Kishte me qenë mirë me fillu një iniciativë e tillë për me i lëshuar fletat poseduese, me ba legalizimin edhe me ditë gjithkush kush e ka pronën e vet, pasurinë, shtëpinë e banesën e vet”, ka thënë Kryeziu.

Edhe banorët e tjerë të kryeqytetit e kanë mirëpritur këtë iniciativë duke shpresuar se një zgjidhje e këtij problemi, do të mundësojë sa më shpejt pajisje me fletë poseduese për pronat e tyre.

Sadik Aliu ka mirëpritur këtë iniciativë, e cila do të rregullonte një problem pothuajse 20 vjeçar.

“Ne problemet e kësaj natyre të jemi edhe më të shpejtë, sidomos organet kompetente të këtuhit me punu me neve me naj kry ma shpejt këto sene, do t’kish qenë shumë mirë për neve”, ka thënë Aliu.

Plani për legalizimin e pronave i prezantuar nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, parasheh legalizimin e përshpejtuar të 350 mijë ndërtimeve pa leje, brenda dy vjetësh me vetëm një euro për metër katror të ndërtimit.

Komento: