Nga nesër duhet të keni dëshmi të vaksinimit apo testit negativ, për të hyrë në lokale

21:32 | 26 September 2021

Nga nesër (27 shtator), do të hyjnë në fuqi masat e reja lehtësuese kundër COVID-19.

Vendimi ka ardhur pasi IKSHPK ka konstatuar se situata epidemiologjike me COVID-19 aktualisht shënon rënie të rasteve të reja pozitive dhe numrit të vdekjeve.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë:

– Institucionet shtetërore dhe institucionet private detyrohen të paraqesin certifikatën e vaksinimit para hyrjes ku operojnë, përfshirë: Qendrat tregtare; Call center; Gastronomia në ambientet e brendshme; Dhe të gjithë punonjësit në institucionet publike dhe private që kanë punë me palë.

– Shkollat dhe çerdhet do të hapen nga dita e hënë, 27 shtator (maksimumi i nxënësve do të jetë 20)

– Aktivitetet sportive mund të kenë prani të shikuesve deri në 10 për qind të kapaciteteve në ambientet e brendshme, duke pasur certifikatën e vaksinimit ose një nga 3 dëshmitë alternative; pra testin PCR, serologjik ose testin rapid antigjen. Kurse, në ambientet e jashtme deri në 30 për qind të kapaciteteve.

Ndërkaq, të dielën Ministria e Shëndetësisë njoftoi se pesë persona kanë vdekur nga koronavirusi, ndërkaq janë regjistruar edhe 77 raste të reja me këtë virus.

Rastet e reja dalin pas testimit të 4.322 mostrave.

Në 24 orëshin paraprak po ashtu janë shëruar 696 pacientë, ndërkaq raste aktive janë 4.176.

Ndërkaq, sa i përket vaksinimit, në 24 orëshin paraprak janë administruar 16.481 doza të vaksinës.

Që prej fundit të marsit, kur Kosova nisi fushatën e imunizimit kundër koronavirusit, e deri më tani, me dy dozat e vaksinës janë vaksinuar 503.498 persona.

Në Kosovë përdoren vaksinat e AstraZenecas dhe Pfizer/BioNTech.

Komento: