Nga penalltia e humbur te rekordi historik – Messi shkruan një kapitull të ri në Kupën e Botës

21:47 | 22 Qershor 2026

Lionel Messi vazhdon të shkruajë historinë e futbollit botëror. Kapiteni i Argjentinës është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës, pasi theu rekordin e legjendës gjermane Miroslav Klose gjatë ndeshjes së Grupit J ndaj Austrisë.

Në një mbrëmje historike, Messi realizoi golin që e çoi në kuotën e 17 golave në fazat finale të Botërorit, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 16 golash të Kloses, ndërsa në kohën shtesë shtoi edhe një tjetër, duke e shtuar epërsinë edhe ndaj ndjeksëve që janë ende në garë.

Sulmuesi argjentinas kishte hyrë në këtë turne në formë të jashtëzakonshme, pasi shënoi het-trik në fitoren 3-0 ndaj Algjerisë në ndeshjen hapëse.

Golat ndaj Austrisë jo vetëm që i siguruan Argjentinës një fitore të rëndësishme, por edhe e vendosi Messin i vetëm në krye të listës së golashënuesve më të mirë në historinë e Kupës së Botës.

Nga penalltia e humbur te rekordi historik

Megjithatë, ndeshja nuk nisi në mënyrën më të mirë për fituesin e tetë Topave të Artë. Në minutat e para, pas një ndërhyrjeje të VAR-it, Argjentina fitoi një penallti, por Messi nuk arriti ta shndërronte në gol, duke e dërguar topin jashtë portës.

Pavarësisht këtij gabimi të rrallë, kapiteni argjentinas reagoi si një kampion i vërtetë. Në minutën e 38-të ai realizoi golin e epërsisë me një goditje të saktë nga jashtë zonës, duke vulosur një tjetër moment të paharrueshëm në karrierën e tij.

Sipas statistikave, Messi tashmë mban edhe një rekord më pak të dëshiruar: ai është lojtari me më shumë penallti të ekzekutuara dhe të humbura në historinë e Kupës së Botës.

Përtej rekordit të golave, Messi mbetet protagonist absolut edhe në aspekte të tjera të lojës. Ai vazhdon të ngjitet në listat historike të asistimeve dhe paraqitjeve në Botëror, duke dëshmuar se edhe në prag të 39-vjetorit, mbetet figura më vendimtare e Argjentinës.

Me këtë arritje, Messi ka forcuar edhe më shumë statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, ndërsa vazhdon të udhëheqë Argjentinën drejt objektivave të mëdhenj në Kupën e Botës 2026.

Komento: