Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, është shkarkuar sot pas audio-incizimeve të publikuara në media, të cilat e implikojnë atë në raste të ndryshme të ndikimit te personat e caktuar nëpër institucione.
Ylli Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se përgjimet kanë nxjerrë në shesh ato që janë thënë ndër vite.
“Ne gjatë monitorimeve tona kemi thënë se Prokuroria e Shtetit dhe sistemi gjyqësor janë të ndikuara nga grupe të ndryshme të interesit…Përgjigja e shtetit deri më tani ka qenë e brishtë ”, tha Zekaj në RTV Dukagjini.
Zekaj thotë se opinion publik duhet të jetë i njoftuar me ecurinë e proceseve të mëtejme pasi sipas tij këto përgjime ndikojnë në besimin e qytetarëve të sistemi i drejtësisë, përcjell Telegrafi.
Pjesëtari i shoqërisë civile thotë se këto përgjime kanë nxjerrë në pah edhe njëherë procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë.
“Duhet të ketë një sistem të thellë të Vettingun në sistemin e drejtësisë së Kosovës, pasi i vetmi ky proces do ta pastronte sistemin prokurorial dhe sistemin gjyqësorë nga personat që kanë mungesë të profesionalizmit”, tha ndër të tjera Ylli Zekaj nga IKD.