Dështimet e Kosovës.
Kosova në vitin që po e lëmë pas, përveç çnjohjeve, nuk ka pranuar asnjë njohje ndërkombëtare të pavarësisë, nuk ka marrë liberalizimin e vizave, nuk ka shënuar progres në anëtarësim drejt BE-së dhe nuk është pranuar në organizatat botërore si INTERPOL-i, UNESCO-ja etj.
Këto dhe ngecje të tjera vlerësohen si dështim i autoriteteve kosovare drejt rrugës euroatlantike.
Institucionet kosovare gjatë vitit që po e lëmë pas kanë dështuar të sigurojnë njohje të reja ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës, nuk kanë arritur të plotësojnë kriteret e kërkuara nga shtetet e BE-së për heqjen e vizave, si dhe nuk kanë shënuar progres të mjaftueshëm në implementimin e marrëveshjes kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së – MSA-së, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Përveç kësaj, dështim i institucioneve kosovare shihet edhe mosanëtarësimi në organizatën më të madhe për bashkëpunim policor INTERPOL, si dhe as në organizatën më të madhe të Kombeve të Bashkuara UNESCO.
Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se këto dështime të Kosovës në aspektin ndërkombëtar emërues të përbashkët e kanë mosefikasitetin e qeverive kosovare ndër vite, të cilët nuk kanë arritur t’i plotësojnë kriteret e kërkuara nga bashkësia ndërkombëtare, me theks të veçantë në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Qeveria e re, sipas tyre, duhet të shfrytëzojë tërë kapacitetin për të përmirësuar imazhin e Kosovës në botë, me qëllim që të paraqitet Kosova si shtet funksional dhe ligjor.