Nga viti 2032, kompanitë zvicerane nuk do të kontrollojnë më barazinë e pagave

17:30 | 17 Qershor 2026
nga-viti-2032,-kompanite-zvicerane-nuk-do-te-kontrollojne-me-barazine-e-pagave

Kompanitë me mbi 100 punonjës nuk do të jenë më të detyruara të analizojnë dallimet në paga sipas gjinisë, pavarësisht se kontrollet e deritanishme kanë zbuluar pabarazi të konsiderueshme, përcjell albinfo.ch.

Dhoma e Kantoneve në Zvicër ka vendosur që nga viti 2032 kompanitë e mëdha të mos kenë më detyrimin ligjor për të kryer analiza të barazisë së pagave mes grave dhe burrave.

Aktualisht, ndërmarrjet me 100 ose më shumë punonjës duhet të realizojnë një analizë të pavarur dhe të verifikuar për të kontrolluar nëse ekzistojnë dallime të pajustifikuara në paga sipas gjinisë.

Ky detyrim u vendos në korrik të vitit 2020 si pjesë e përpjekjeve për të promovuar barazinë në tregun e punës dhe për të identifikuar diskriminimin e mundshëm në pagesa.

Megjithatë, sipas vendimit të fundit, kjo masë do të skadojë në fund të vitit 2031 dhe nuk do të zgjatet më tej.

Rezultatet e analizave të deritanishme kanë treguar se pabarazitë në paga vazhdojnë të ekzistojnë. Për shembull, gratë që mbajnë pozita me nivel të lartë përgjegjësie kanë përfituar mesatarisht një pagë bruto mujore prej 10.077 frangash, ndërsa burrat në pozita të njëjta kanë fituar mesatarisht 11.715 franga në muaj.

Mbështetësit e ndryshimit argumentojnë se masa ishte parashikuar që në fillim si e përkohshme dhe se kompanitë tashmë janë ndërgjegjësuar për rëndësinë e barazisë në paga. Ndërkaq, kritikët paralajmërojnë se heqja e kontrollit mund ta bëjë më të vështirë identifikimin dhe korrigjimin e dallimeve të pajustifikuara mes grave dhe burrave në tregun e punës./Albinfo.ch

Komento: