Është zgjedhur drejtori i ri i Radio Televizionit Publik të Kosovës.
Zyra Ligjore e RTK-së ka legjitimuar votimin e para pak ditësh, përmes të cilit njeriu i Hashim Thaçit, Ngadhnjim Kastrati, ishte votuar me shumicë votash në postin e drejtorit të ri të RTK’së.
Gazeta Express ka arritur që të sigurojë dokumentacionin e Zyrës Ligjore të RTK’së, të cilët me kërkesë të kryetares së Bordit të RTK’së, Afërdita Maliqit, kanë interpretuar Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës, specifikisht nenin 32 paragrafi 3, që thotë se “ Drejtori i Përgjithshëm i RTK’së, emërohet dhe shkarkohet me 2/3 e votave të anëtarëve të Bordit”.
Gjithçka që kishte ngritur pikëpyetje rreth rezultatit të votimit të ndodhur, ka qenë fakti së në momentin e votimit të emrit të Ngadhnjim Kastratit për drejtor, të pranishëm kanë qenë gjithsejtë 7 anëtarë të Bordit, ndërkohë kishin munguar edhe 4 të tjerë. Kjo pasi që Bordi i RTK’së përbëhet nga gjithësejtë 11 anëtarë.
Por në sqarimin e bërë nga Zyra Ligjore, speficikohet se 4 anëtarëve të tjerë të Bordit të RTK’së u kishte skaduar mandati, dhe si rezultat ata nuk mund të kishin as të drejtë vote.
Në interpretim thuhet që edhe përkundër faktit që Bordi i RTK’së nuk ishte në përbërje të plotë në ditën e votimit [11 anëtarë], i njëjti Bord vetëm prej 7 anëtarësh që kishte votuar për zgjedhjen e Ngadhnjim Kastratit drejtor të RTK’së, kishte kuorum për të marrë vendime.
Zyra Ligjore e RTK’së kujton se edhe ish-drejtori Mentor Shala ishte zgjedhur në mënyrë të njejtë, nga një Bord i përbërë prej 7 anëtarësh.