Kuvendi ‘ngel vitin’ duke arritur të përmbush vetëm 17 për qind të agjendës legjislative.
Kuvendi i Kosovës, i cili drejtohet nga Kadri Veseli, ka përmbushur vetëm 17 për qind të agjendës legjislative për këtë vit.
Për gjysmë viti punë Kuvendi i Kosovës ka arritur të përmbushë vetëm 17% të agjendës legjislative. Nga 142 projektligje që do të jenë në shqyrtim për vitin 2019 Kuvendi ka miratur vetëm 25 ligje, përderisa në procedurë të shqyrtimit janë edhe 44 projektligje tjera. Sipas monitoruesëve të punës së Kuvendit, përmbushja e agjendës do të jetë sfidë për shkak të aktivitetit të ngadaltë që ka kjo legjislaturë.
Agnesa Haxhiu, nga Instituti i Kosovës për Demokraci, është shprehur për “Zërin” se ngecja e punës së Kuvendit ka ardhur për shkak të zvarritjeve në shqyrtim të ligjeve dhe të mungesës së kuorumit për t’i votuar ato në seanca plenare. Mirëpo edhe mungesa e deputetëve në komisionet parlamentare ka shkaktuar vonesë në përmbushje të agjendës së Kuvendit.