Ngjarja e rëndë në Prishtinë, vjen rrëfimi i padëgjuar i dy familjeve të përfshira

19:08 | 06 September 2019

Një ngjarje shumë e rëndë ndodhi mbrëmë në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona dhe dy të tjerë u lënduan dhe vazhdojnë të jenë në gjendje shumë të rëndë.

Për një pjesë betoni, jo më të madhe se 1 metër katror, dyshohet se nisi i gjithë konflikti dje në Prishtinë në mes të familjes Mehmeti dhe Rafuna.
Këto dy familje për vite me radhë kishin qenë në fqinjësi të mirë.

Por, para disa muajve, familjet ia dhanë pronën, në këmbim të disa banesave e lokaleve, një kompanie private.

Mosmarrëveshjet nisën ditëve të fundit e përfunduan dje, me një ngjarje e cila ka tmerruar gjithë Kosovën.

Rrëfimet e familjeve Rafuna e Mehmeti

Shenja gjaku ende vërehen në lagjen ‘Muharrem Fejza’ në Prishtinë.

Aty dje ndodhi një ngjarje, e cila i ngjasonte më shumë filmave aksion se sa një realiteti.

Me mjete zjarri në duar përfshirë tre persona, nga familja Rafuna e Mehmeti, nisën përleshjen mes vete,dy persona mbetën pa shenja jete, Bashkim Mehmeti e Mefail Rafuna.

Familjarët kanë rrëfyer për raportet fqinjësore që kanë pasur familja Rafuna e ajo Mehmeti.

Kushëriri i Mefail Rafunës, Nebihi tregon rreth incidentit që dyshohet se i mori jetën nipit të tij.

“Unë sa e di ata nuk kanë pasur kurrë probleme me njëri-tjetrin. Familjarët më thanë se për një trotuar janë rrokë. I ndjeri ka qenë shumë djalë i mirë. Kurrë probleme nuk na ka sjellë neve ai djalë. Askush nuk po e di se qysh ka ndodhë e gjithë ngjarja. Familjet sa e di unë asnjëherë nuk kanë pas probleme me njëra-tjetrën. Më ka ardhur shumë rëndë kjo bela që është ba”, rrëfen për gazetën Nebihi, kushëri i së ndjerit Mefail Rafunës.

Edhe tek familja Mehmeti thonë se e gjithë belaja nisi dje në mëngjes për një gur të vendosur në trotuar.

“Veç një guri ka qenë problemi. Asnjëherë nuk kanë pasur probleme në mes vete. Problemi ka qenë momental. Aty për aty ka ndodhë problemi. Këta janë që 50 vite fqinj. Ajo ka qenë e momentit. Familja të gjithë janë të shokuar”, ka deklaruar për Express njëri nga familjarët e Bashkim Mehmetit i cili vdiq dje pas një përleshjeje, në rrugën “Muharrem Fejza”, në Lagjen Mati 1.

Gjak, letra higjienike e një karrike me një njoftim që tregon se aty ka të pame, është gjithçka që ka mbetur në vendin ku dje u përleshën familjet Mehmeti e Rafuna.

Aty u hap e pamja për Bashkim Mehmetin, 41-vjeçar.

Për t’i qetësuar gjakrat, te të dy familjet kishte shkuar edhe një pleqnar. Ai tregoi se gjatë bisedave me familjet mori premtime se nuk do të ketë hasmëri.

“Nuk ka telashe kurgja. Kem biseduam. Unë isha vet i dyti. Nuk do të ketë telashe deri të kryhet marrim dhe e pamja dhe pastaj do të flasim”, tha personi, qëu angazhua nga familjet për t’i qetësuar gjakrat.

Ndërkohë avokati i të prangosurit Naim Mehmeti si i përfshirë në këtë ngjarje, Skender Musa ka deklaruar se pala e tij është e dëmtuar në këtë rast.

“Në bazë të provave mund të them është e vërtetë se palët që ne i përfaqësojmë mund të konsiderohen si të dëmtuara. Besojë që gjykata do ta këta parasysh që klientin tim ta lirojë për ceremoninë e lantumirës së fundit.Klienti im ka poseduar mjet zjarri dhe nuk është shkrep. E njëjta pas urdhrit të policisë i ashtë dorëzuar policit”, ka thënë avokati i njëri prej të lënduarve.

Ndërkohë në rrezik për jetë vazhdojnë të jenë edhe dy persona të tjerë që mbetën të lënduar të enjten gjatë përleshjes në rrugën “Muharrem Fejza” të Prishtinës. Pacientët që po qëndrojnë në spital, axhë e nip, janë të familjes Rafuna. Detaje rreth gjendjes shëndetësore të këtyre pacientëve ka dhënë mjeku i QKUK’së, Shaqir Uka, shef i mjekimit intenziv.

Mjeku kujdestar, Shaqir Uka, ka thënë se gjendja e të lënduarve është jo stabile. Thotë se janë në pritje edhe të rezultateve të analizave për të marrë më shumë informacione rreth gjendjes së tyre.

“Dy të lënduarit në Prishtinë janë sjellë dje për ekzaminim në Klinikën Emergjente. Ata janë për momentin nën kujdesin intenziv dhe priten edhe rezultatet e analizave. Gjendja e përgjithshme e tyre mund të themi që është jo stabile”, ka thënë Uka.

“Dy pacientët, pas sjelljes në Qendrën Emergjente për shkak të lëndimeve që kanë marrë janë sjellë për trajtim në mjekimin intenziv. Të dy pacientët vazhdojnë të qëndrojnë të fjetur në barna dhe të përkrahur nga aparaturat mjekësore. Në orët në vazhdim do të dihet gjendja e tyre. Njëri nga pacientët ka lëndime në regjionin e kokës, ndërkohë tjetri ka lëndime në gjoks’, tha Uka.

Detaje se si filloi e gjithë përleshja mes anëtarëve të familjes Mehmeti e Rafuna, ka dhënë sot edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës. Sipas Prokurorisë, gjithçka kishte filluar me një përleshje fizike, për të përfunduar më pas me të shtëna.

“Në njërën anë personat me inicialet F.R. dhe M.R., ndërsa në anën tjetër të dyshuarit me inicialet B.M., N.M. dhe M.M., kanë shtënë. Ndërkaq, si pasojë e të shtënave të ndërsjella, lëndime dhe plagë të rënda në vendin e ngjarjes kanë pësuar të dyshuarit me inicialet F.R., M.R., B.M., dhe kalimtari i rastit, tani i dëmtuari G.R”, thotë prokuroria.

Prokuroria ka bërë të ditur se të lënduarit ishin dërguar menjëherë për trajtim në QKUK, mirëpo si pasojë e lëndimeve dhe plagëve të marra, kanë ndërruar jetë personat me inicialet B.M. dhe M.R.

Ndërkohë, me urdhër të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë, personat me inicialet N.M., M.M., dhe F.R., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Vepër e rëndë” nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të mjeteve të zjarrit” nga neni 366 të KPRK-së.

“Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dhe do të urdhërohet që të bëhet obduksioni, me qëllim të përcaktimit të shkaqeve të vdekjes së tyre”, thuhet në komunikatë.

Komento: