Ngjarje shumë e rëndë: Vriten 12 persona në një hotel

11:41 | 20 Gusht 2022

Të paktën 12 persona besohet se janë vrarë gjatë një sulmi nga terroristët në një hotel në kryeqytetin somalez, Mogadishu, tha një zyrtar të shtunën, ndërsa forcat e sigurisë vazhdojnë të luftojnë me personat e armatosur të ngujuar brenda.

Luftëtarët nga grupi al-Shabaab i lidhur me Al-Kaedën sulmuan hotelin “Hayat” të premten në mbrëmje pas një breshëri armësh dhe shpërthimesh bombash.

“Deri më tani ne kemi konfirmuar 12 persona, kryesisht civilë, të vdekur”, tha për Reuters Mohammed, një oficer i inteligjencës që dha vetëm emrin.
“Operacioni është gati për t’u përfunduar, por ai ende po vazhdon”.

Shpërthimet nga bombat pranë hotelit krijuan shtëllunga të mëdha tymi në një rrugë të frekuentuar të premten mbrëma, derisa krismat e armëve u dëgjuan në të gjithë kryeqytetin në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Sulmi në Mogadishu është më i madhi që kur presidenti i ri i Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, u zgjodh në maj pas shumë muajsh paqëndrueshmërie politike.

Grupi xhihadist, i cili ka zhvilluar një kryengritje vdekjeprurëse kundër qeverisë qendrore të brishtë të Somalisë për rreth 15 vjet, mori përgjegjësinë.

“Forcat e sigurisë vazhduan të neutralizojnë terroristët të cilët janë rrethuar brenda një dhome në ndërtesën e hotelit”, i tha AFP-së komandanti i sigurisë Mohamed Abdikadir.

“Shumica e njerëzve u shpëtuan, por të paktën tetë civilë u konfirmuan të vdekur deri më tani”, kishte thënë ai më herët.

Komento: