Tashmë është duke u mbajtur senca rreth kazinove.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës në të cilën po diskutohet për mbylljen e kazinove dhe lojërave të fatit, ka mos pajtime mes grupeve parlamentare se si duhet të procedohet tutje.
Kreu i grupit parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se rezoluta e paraqitur e thotë shumë qartë që Qeveria të marr vendim për pezullimin e aktivitetit të lojërave të fatit, dhe më pas të ndërmerren hapa për plotësim ndryshimin e ligjit për lojërat e fatit.
“Rezoluta është e qartë dhe ka marrë mbështetjen e të gjitha grupeve. Pika e parë thotë që qeveria të pezullojë menjëherë aktivitetin e lojërave të fatit, deri në plotësim ndryshimin e ligjit. Ne përmes kësaj rezolute do të pajtohemi që të nisim ligjin e ri, për ndalimin e aktivitetit të kazinove. Ju kërkoj që ta nxjerrni në votim”, ka thënë Hoti.
Më pas fjalën në Kuvend e ka marrë, ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili ka thënë se aktualisht në Kosovë nuk ka asnjë kazino të licencuar.
Sipas tij, nuk mundet që me një vendim të Qeverisë, të hidhet poshtë ligji për lojërat e fatit.
“Kazino të licencuara nuk ka, ilegale që ka, autoritetet e vendit duhet të ndërmarrin. Nëse ato lejohen me ligj, nuk mund të ndryshohet me akt nën ligjor (vendim të Qeverisë), por vetëm me ligj. Duhet të votojmë një rezolutë që e adreson këtë punë, dhe jo një rezolutë që do të ketë probleme me implementim”, është kundërpërgjigjur Hamza pas fjalës së Hotit.
Më pas kreu i Kuvendit ka thënë se të gjithë grupet parlamentare të nxjerrin nga një jurist, për të trajtuar këtë çështje.
Seanca e jashtëzakonshme për kazinot, po mbahet pas rasteve të vrasjeve që kanë ndodhur në objektet e lojrave të fatit ditëve të fundit.