Ngrihet aktakuzë ndaj KEDS-it për vdekjen e punëtorit nga rryma më 2023

16:26 | 03 Shtator 2025
Ngrihet aktakuzë ndaj KEDS-it për vdekjen e punëtorit nga rryma më 2023

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike SH.A, dhe ndaj të pandehurve A.Z, G.N dhe A.N, për vdekjen e një punëtori të KEDS-it, rast i cili ndodhi në fshatin Levoshë të Pejës më 4 shkurt të vitit 2023.

Sipas komunikatës për media, V.P., derisa ka qenë duke punuar për t’i eliminuar defektet ne rrjetin elektrik “Dalja 10 KV-Maja e Zezë në Pejë” në një moment si pasojë e kushteve të rrezikshme në vendin e punës, vije deri tek kontakti me rrymën dhe si pasojë vdes në vendin e ngjarjes.

Sipas Prokurorisë, KEDS-i akuzohet për mossigurim të kushteve të punës.

“Sipas aktakuzës, me datë 4 shkurt të vitit 2023, në fshatin Levoshë të komunës se Pejës, i pandehuri si person juridik “Kompani Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike SH.A”, në cilësinë e përgjegjësit për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës nga pakujdesia, nuk ka vepruar në pajtim me dispozitat ligjore, ka rrezikuar jetën e njerëzve në atë mënyrë, që i pandehuri në cilësi të pronarit të personit juridik edhe pse ka qenë i detyruar të zbatoj masat parandaluese në të gjitha aspektet e punës, duke bërë vlerësim të hollësishëm për masat mbrojtëse, konkretisht në sigurimin e kushteve të sigurta për punë, nuk ka krijuar kushte të sigurta dhe të shëndetshme të punës për parandalimin e rreziqeve, nën rrjetin largpërçuesve-sipërfaqes mbi të cilën shtrihet rrjeti për të krijuar siguri gjatë ndërhyrjes në linje dhe nuk ka zbatuar organizimin e procesit të punës tek kyçja e rrymës në rrjetë nga ekipi i ndërhyrjes pa i respektuar procedurat në fuqi të parapara me vlerësim të riskut, ashtu që, ditën kritike deri sa i dëmtuari tashmë i ndjeri V.P, punëtor mirëmbajtës i rrjetit gjatë procesit të punës, duke punuar për t’i eliminuar defektet ne rrjetin elektrik “Dalja 10 KV-Maja e Zezë në Pejë” në një moment si pasojë e kushteve të rrezikshme në vendin e punës vije deri tek kontakti me rrymën dhe si pasojë vdes në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Komento: