Ngrihet aktakuzë për shitblerje narkotikësh ndaj një personi në Prizren

11:08 | 14 November 2024
ngrihet-aktakuze-per-shitblerje-narkotikesh-ndaj-nje-personi-ne-prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit R.Ç., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri R.Ç., më 22.08.2024 rreth orës 11:15, në Prizren, saktësisht në shtëpinë e tij, pa autorizim shpërndau dhe ofroi për shitje substanca të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, ato të llojit “kokainë” dhe “marihuanë”, në atë mënyrë që narkotikun e siguruar përmes rrugëve ilegale, e mbajti në shtëpinë e tij, nga ku filloi shitjen në sasi të vogla, personave të ndryshëm në qytetin e Prizrenit.

“Pas sigurimit të informatave operative lidhur me narkotikun që posedonte i pandehuri, sapo haset nga zyrtarët policorë në afërsi të rreth rrotullimit në lagjen “Bazhdarhana”, tentojnë ta ndalin mirëpo i njëjti arrinë të ikë në drejtim të shtëpisë së tij, ku edhe arrestohet dhe gjatë kontrollit të kryer, saktësisht në dhomën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar: një qese brenda së cilës ishin tridhjetë qese plastike me substancë narkotike të llojit “marihuanë” me peshë prej 32.03 gramë, një qese me narkotik të llojit “marihuanë”me peshë 0.28 gramë, një qese brenda së cilës janë njëzetë e tre qese plastike me substancë narkotike të llojit “marihuanë” me peshë 13.79 gramë, një çantë e zezë krahu me mbishkrimin “NIKE” brenda së cilës është një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit “marihuanë” me peshë 177.18 gramë, 3 qese me substancë narkotike të llojit “kokainë” me peshë prej 5.32 gramë, gjashtë paketime me qese te zbrazëta që shërbejnë për paketim të narkotikëve dhe dy peshore “constant” ngjyrë e zezë dhe metalike, të cilat substanca narkotike pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, rezultojnë për narkotikë të llojit “marihuanë” me peshë të përgjithshme prej 223.28 gramë, si dhe narkotikë të llojit “kokainë” me peshë prej 5.32 gramë”, thuhet në njoftim.

Komento: