Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj të pandehurit O.K., për shkak të kryerjes së veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.
Sipas njoftimit prokurori i Shtetit, pas mbledhjes dhe analizimit të provave personale dhe materiale, ka konstatuar se: “Përtej dyshimit të bazuar mirë, është vërtetuar se i pandehuri O.K., që nga janari 2013, i është bashkuar dhe ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist ‘Al Nusra’, në rrethinën e qytetit të Damaskut, në shtetin e Sirisë.”
Në aktakuzë, prokurori thekson se O.K. ka ndërmarrë veprime konkrete të caktuara nga udhëheqësit e kësaj organizate terroriste, duke përmbushur elementet e veprës penale për organizimin dhe pjesëmarrjen në grup terrorist.
Po ashtu, prokurori ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas Kodit Penal.
“Gjithashtu, kërkohet që masa e paraburgimit të vazhdohet deri në përfundim të rastit penal,” thuhet në njoftim.