Qytetarët ankohen për rritje të çmimeve në prag të festave, në ASK japin arsyet.
Çmimet e produkteve të konsumit kanë shënuar rritje në prag të festave të fundvitit. Qytetarët po ankohen se të ardhurat e vogla mujore në familjet e tyre, po iu pamundësojnë që të blejnë gjërat e domosdoshme të konsumit.
E sipas tyre, pas vendosjes së tarifës 100 për qind ndaj Serbisë më shumë së një vit ka ndikuar në ngritjen e çmimeve.
Gilie Makolli, thotë se nuk po arrijnë t’i mbulojë gjitha shpenzimet, derisa tha se i duhet t’i anulojë disa produkte.
“Vjet ka pasur rritje, këtë vit po thonë se janë më lirë, nuk po di. Duhet me i lënë gjysmën e produkteve vetëm disa që duhet patjetër sepse nuk ta mbërrin me rrogën e Kosovës”.
Kurse, Bejnaze Terbunaj, tregon se ka vërejtur rritje të çmimeve për 20 për qind.
“10 ose 20 për qind janë rritë në këtë vit. Për neve pensionistët po ndikon shumë. Pensioni nuk është rritë, por vetëm çmimet”.
Beqir Krasniqi, thotë se ka laramani të çmimeve, e për këtë ka ndikuar taksa ndaj produkteve serbe.
“Çmimet janë të ngjashme nuk kanë diferencë të madhe. Disa çmime janë rritë disa janë të njëjta nuk kanë ndryshuar shumë. Deri diku mesatare po mundohemi me e mbulua. Po ndikon taksa ndaj Serbisë”.
Zyrtari i Lartë i Divizionit të Statistikave të Çmimeve në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), Raif Gashi tha për Ekonomia Online se ka ngritje të çmimeve të produkteve të konsumit, si: mielli, drithërat, mishi dhe disa ushqime të tjera.
“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0,2% në muajin nëntor 2019. Shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin nëntor 2019 me muajin nëntor 2018 ishte 1,7%. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0,2% në muajin nëntor 2019″.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen çmimeve të konsumit te nëngrupet e COI COP-it: qumështi, djathi dhe vezët 2,2%, perimet 3%, sigurimet 19.5%, ngritja prej 26% e çmimeve të sigurimeve të automjeteve çoi në një ngritje prej 0,1% të IHÇK-it, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,3 për qind në IHÇK-të”.
Gashi ka bërë të ditur statistikat e ngritjeve të çmimeve, një ndër to edhe çmimi i sigurimit të automjeteve.
Derisa thotë se ka pasur rënie të çmimeve të konsumit në perime dhe të biletave të transportit ajror. Gashi përmendi edhe faktorët kryesor që dërgojnë në ngritjen e çmimeve.
Siç tha ai, importi i madh i mallrave dhe shërbimeve si dhe ndikimi i taksës në fuqi më shumë së një vit.
“Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COlCOP-it: perimet -5,0%, përdorimi i pajisjeve për transportin personal -2,3%-rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës, shërbimet për transport -5,7%- rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,5 për qind në IHÇK-it”.
“Faktorët kryesor në rritjen e çmimeve janë importi. Kosova rreth 90% është importuese e mallrave nga vendet e huaja. Si dhe taksa ka pasur një ndikim në rritjen e çmimeve”, tha ai.