Ngritet edhe një aktakuzë tjetër ndaj ish-këshilltarit të Veselit

17:44 | 05 August 2019

Edhe një aktakuzë për ish-këshilltarin e Veselit.

Përveç aktakuzës për rastin “PRONTO”, ish-këshilltarit të Kadri Veselit, Nijazi Kryeziut, i është ngritur sot një aktakuzë edhe nga Prokuroria Themelore e Prizrenit për ‘Keqpërdorim të pozitës apo autoritete zyrtar”.

Këtë e ka bërë të ditur vetë prokuroria, duke shpjeguar se Kryeziu gjatë kohës sa kishte qenë Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit gjatë qeverisjes së Ramadan Mujës kishte shfrytëzuar autoritetin e tij për të tejkaluar kompetencat me qëllim të keqpërdorimit të pasurisë publike për përfitime të një pale të tjetër.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër N.K., në cilësinë e ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, pranë Komunës së Prizrenit, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafi 2.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Kryeziu sipas Prokurorisë në periudhën janar-dhjetor të vitit 2015 dyshohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës, me qëllim të përfitimit të disa palëve të tjera.

“Sipas aktakuzës, i akuzuari N.K., në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015, në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare, duke keqpërdorë pasurinë publike me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për persona tjerë juridik TV Opinion, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj”, shpjegohet tutje.

Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që ta shpall fajtor Kryeziun dhe ta dënojë për veprën për të cilën dyshohet.

“Kështu që, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, lidh kontratë për emitimin e spoteve reklamuese në sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ashtu që me TV Opinion vlera totale e kontratës arrin shumën 7200 € (shtatë mijë e dyqind euro). Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri N.K., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë”, përfundon njoftimi i PK’së Themelore të Prizrenit.

Kryeziu kishte dhënë dorëheqje nga posti i këshilltarit të Kadri Veselit, pasi ky i fundit pak pas rizgjedhjes në kryet të PDK’së kishte marrë aksion që të pastronte partinë nga personat të cilët kanë një aktakuzë të konfirmuar.

Komento: