Ngushtohet gara për kryetar të LDK-së, mbesin vetëm Haziri, Sejdiu e Osmani

16:03 | 31 March 2019

LDK së shpejti do të bëhet me udhëheqës të ri.

Vetëm Lutfi Haziri, Fatmir Sejdiu e Vjosa Osmani e kanë lënë të hapur mundësinë për t’i hyrë garës për Shef të LDK’së. Zyrtarët e tjerë janë heshtur. S’po shfaqin ambicie për të marrë kreun e LDK’së as gjenerata e re në krye me Avdullah Hotin, i cili ka mbetur krejtësisht në periferi të garës.

Lutfi Haziri, Fatmir Sejdiu e Vjosa Osmani janë tre emrat që kanë mbetur në garë për Kryetar të LDK’së. Te tre këta zyrtarë të LDK’së e kanë lënë të hapur mundësinë që t’i hyjnë garës për të udhëhequr partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

Sejdiu, Haziri e Osmani janë ndër zyrtarët që kanë qenë pjesë e LDK’së prej fillimeve të tyre në politikë.

Por, kush i ka gjasat më të mëdha për të marrë udhëheqjen e LDK’së?

Fatmir Sejdiu, ish-Kryetar i LDK’së, ish-President dhe njëri prej themeluesve të LDK’së ka pasur qëndrim kritik pse partia e Rugovës vazhdimisht i ka humbur zgjedhjet e fundit, sidomos ato nacionale. Ka qenë i gatshëm t’i hyjë garës edhe në zgjedhjet e fundit në LDK ku Isa Mustafa e rimori mandatin e dytë në krye të partisë.

Lutfi Haziri, prej pasluftës, ka qenë në pozita të larta në LDK. Duke filluar nga Kryetar komune, Ministër, Zëvendëskryeministër, deputet e së fundmi prapë Shef i Komunës së Gjilanit.

Në zgjedhjet e fundit në LDK, Haziri kishte thënë se nuk po i hyn garës për ta marrë kreun e partisë pasi nuk po dëshiron ta rrëzojë Kryeministrin Mustafa nga pozita partiake.

Ndërsa, tash ka shfaqur ambicien për t’u bërë Shef i LDK’së por paraprakisht ka kërkuar një marrëveshje politike. Ka kërkuar unitet në parti për të mos pasur çarje pastaj. Ka shfaqur gatishmëri t’i bashkojë të gjitha grupet që aktualisht janë në parti, edhe t’i merr afër vetes themeluesit e partisë.

Vjosa Osmani, kohëve të fundit, ka refuzuar të flasë konkretisht se kur do t’i hyjë garës për Kryetare të Partisë. Në garën e fundit në LDK s’ishte lejuar as të kanidonte meqë nuk kishte kaluar garën në Këshill të Përgjithshëm të LDK’së.

Pavarësisht problemeve shëndetësore, Isa Mustafa, ende s’e ka thënë përfundimisht se nuk do të kandidojë për Kryetar partia. Kur ishte bërë Shef i LDK’së herën e parë, kandidaturën s’e kishte publikuar deri në ditën kur ishte mbajtur Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së.

Krejt jashtë garës për Kryetar të LDK’së po vazhdon të mbetet Avdullah Hoti, Shef aktual i deputetëve të LDK’së.

Hoti, i cili dështoi të dalë fitues në zgjedhjet e fundit nacionale si kandidat për Kryeministër, s’ka shfaqur publikisht ambicie për të udhëhequr LDK’në. S’ka pasur përkrahje as prej zyrtarëve tjerë të partisë përfshirë Isa Mustafën.

Kujtim Shala, aktualisht, Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ka vendosur të tërhiqet nga gara për Shef partiak.

Edhe Imri Ahmeti ka thënë se nuk do t’i hyjë garës vetëm nëse një gjë e tillë i kërkohet.

Dy nënkryetarët tjerë të LDK’së, Agim Veliu e Haki Rugova, s’kanë shfaqur ambice për Kryetar partie. Por, as nuk kanë treguar se kënd do ta përkrahin në garën për Kryetar të LDK’së.

Komento: