Sokol Dobruna mban kodin W04264 në këtë proces dhe është duke dëshmuar përmes video-lidhjes. Ai është i përfaqësuar nga avokati Arianit Koci, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Koci u pyet nga trupi gjykues se a ka ndonjë çështje në të cilën klienti i tij mund të vetë-inkriminohet gjatë dëshmisë.
“Kërkoj pak mundësi me bisedu lidhur me lëndën me klientin tim për shkak se thjesht nuk mundet me i përcjellë operacionet pak më komplekse në këto çështje. Kështu që rrjedhimisht nuk kam pa ndonjë indikacion që mund të vetë-inkriminohet”, u përgjigj Koci.
Megjithatë, trupi gjykues tha se në rast që del ndonjë e tille, Koci duhet të njoftojë. Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurori John Capin.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet që të zgjasë rreth dy ditë. Ai tha se Prokurori ka parashtruar se i duhen rreth një orë për pyetje, ndërsa ekipet e mbrojtjes kanë parashtruar se i duhen gjashtë orë për kundërpyetjet.
Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.